A ka ndikuar administrata në zgjedhjet e 11 majit?

Amarildo Stoica

Ndërsa shqiptarët më 11 maj 2025 shkuan drejt kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend, një pyetje thelbësore kërkon përgjigje: A është përdorur administrata publike si një instrument elektoral nga pushteti?

Të dhënat e siguruara nga INSTAT flasin qartë për një prirje të fortë: zgjerim të qëndrueshëm të sektorit publik gjatë dekadës së fundit, në një kohë kur të gjitha kushtet objektive duhet të kishin çuar në tkurrjen e tij.

Një administratë që rritet në heshtje

Në vitin 2004, administrata publike numëronte 176 mijë të punësuar. Në periudhën 2006–2013 ky numër u reduktua gradualisht, duke zbritur në 163,900. Por pas vitit 2013 – përkoi me ardhjen në pushtet të qeverisë aktuale – trendi ndryshon. Nga viti 2013 deri në prill 2024, numri i të punësuarve në sektorin publik ka arritur në 184 mijë, një rritje me 20 mijë vende pune ose 12.2%.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si një politikë për rritjen e shërbimeve publike. Por nëse analizojmë më thellë, del në pah një kontradiktë madhore.

Reformat që s’kursyen askënd… përveç administratës

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka përjetuar ulje të ndjeshme të popullsisë – si për shkak të emigracionit, ashtu edhe të rënies natyrore. Sipas INSTAT-it, vendi ka humbur qindra mijë banorë në më pak se një dekadë. Parë në këtë kontekst, rritja e administratës është jo vetëm e pakuptimtë ekonomikisht, por edhe irracionale funksionalisht.Një sistem që duhet hetuar

Nëse vërtetohet se rritja e administratës është përdorur për të ndikuar rezultatin elektoral, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një fenomen të keqmenaxhimit buxhetor, por me një shkelje serioze të parimeve të demokracisë.

Kjo çështje kërkon transparencë, hetim të pavarur dhe mbi të gjitha një debat publik serioz, për të rikthyer shërbimin civil në funksion të qytetarëve, jo të partive.

Në një vend që po boshatiset, ku shërbimet janë online dhe ku reforma të thella synojnë shkurtimin e stafit, një administratë në rritje është alarm, jo arritje.

Publikuar nga Publik Media