Kreshnik Çollaku flet për farsën elektorale: Çollaku: PD duhet të lexojë veten

Kandidati i PD-së për Tiranën Kreshnik Çollaku në një intervistë për mediat ka deklaruar se e mbështet kreun e PD-së Sali Berisha kur flet për farsë elektorale, ndërkohë që nuk kursen as kritikat për demokratët.

“Unë i bashkohem qëndrimit të zotit Berisha që ato ishin një farsë, një farsë e përsëritur, mjerisht dhe tragjikisht një farsë e përsëritur për herë të katërt në Shqipëri. Qartësisht mazhoranca e Edi Ramës ka krijuar një industri, perfekte, thuajse perfekte të devijimit popullor,” u shpreh Çollaku.

Sipas tij opozita duhet të përqëndrohet në dy beteja paralele, evidentimi i fakteve dhe analiza kritike e brendshme.

“Opozita duhet të bëjë dy beteja, e para për këtë që ka nisur. Edhe unë e mbështes këtë proces të zotit Berisha, të evidentimit të fakteve, jo me retorikë politike, jo me dëshira. Po duhen prova dhe fakte dhe administrim i fakteve, por dhe denoncimi publik apo te ato që kanë mandat ndërkombëtar. E dyta duhet një analizë kritike e brendshme, ku humbëm dhe ku difektuam që të dështojmë për herë të katërt manipulimin e Edi Ramës.”-tha Çollaku.

Ndër të tjera, Çollaku theksoi se gabimi fatal i opozitës është se votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Unë e kam paralajmëruar, me miratimin e këtij kodi elektoral, opozita lëshonte të paktën 12 mandate, për shkak të gjendjes politike të saj dhe për shkak të Kodit. Për mendimin tim, gabimi fatal i opozitës është që votoi ndryshimet në Kod.”- vijoi Çollaku.

Po ashtu pati dhe kritika në lidhje me kandidatët e opozitës, kolegët e tij duke shtuar se asnjëri prej tyre nuk punoi në grup.

Ai tha se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Asnjë kandidat i opozitës nuk punoi në grup. Asnjë kandidat i PD-së nuk punonte dot në grup. Patjetër duhet të mbajnë përgjegjësi, të gjithë drejtuesit e PD-së, sepse nuk e njohën farsën dhe realitetin. Madje as që e denoncuan ata. Dilnin në mëngjes thoshin që opozita fitoi, votat janë në kuti dhe pastaj çfarë ndodhi.”-tha Çollaku.

Sipas Çollakut ato që u fituan ishin votat personale të Sali Berishës pasi askush nuk ka lëvizur gishtin në PD që të shtojë votat.

“Këto janë vota personale të Sali Berishës, kjo është ajo që mendoj. I ka marrë në ’97, i ka marrë në 2001 kundra gjykatave. Askush nuk ka lëvizur gishtin në PD të shtojë këtë votë. Kanë përdorur thjesht mekanizma brenda PD-së për të marrë vota nga Berisha.”-tha Çollaku.

Në përmbyllje, Çollaku thotë se PD duhet të lexojë veten dhe se nuk mund të trajtohet si parti parazitare.

 “Nuk mund të trajtohet Partia Demokratike si parti parazitare, të presin çfarë thotë dhe çfarë bën Sali Berisha. PD duhet të lexojë veten.”-përfundoi Çollaku.

Publikuar nga Publik Media