‘Beu’ i Poliçanit Zotkaj i dhuron ish-drejtorit Puka 184 ha tokë

Ish-drejtori i Alpetrolit do të vendosë panele diellore!

Amarildo Stoica: Publik.al | Investigim

Një pronë publike kolosale, një ankand i dyshimtë dhe një ish-zyrtar i lidhur me rrjetet e vjetra të pushtetit.

Kjo është përmbledhja më e saktë e një historie që shpaloset në Bashkinë e Poliçanit, ku, përmes një procedure që ngjason më shumë me një transaksion të mbyllur mes miqsh sesa me një garë të ndershme, ish-drejtori i Alpetrolit, Endri Puka, ka përfituar një sipërfaqe të jashtëzakonshme prej 184 hektarësh në zonën e Tërpanit.

Çfarë ka ndodhur?

Bashkia e Poliçanit, nën drejtimin e kryetarit Adriatik Zotkaj, ka shpallur fituese të një ankandi për përdorimin e një sipërfaqeje të madhe toke në pronësi të saj, firmën “DELVINA SOLAR” shpk. Sipas dokumentacionit të siguruar nga Publik.al, ankandi kishte si objekt:

“Dhënie në përdorim të sipërfaqes së fondit kullosor me sipërfaqe totale 184.4 ha për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike.”

Sipas dokumenteve

Kjo është një ndër dhëniet më të mëdha të tokës publike që ka bërë ndonjëherë kjo bashki në mënyrë të drejtpërdrejtë për një subjekt privat.

Një fitues pa konkurrentë

Në procedurën e zhvilluar, nuk ka pasur asnjë ofertues tjetër përveç “DELVINA SOLAR”, e cila ofroi një vlerë prej 21.992.960 lekë/vit. Një fakt që ngre dyshime serioze për një proces të paracaktuar.

 

Burime të brendshme tregojnë se shpallja e ankandit nuk është bërë në mënyrë të gjerë publike dhe nuk janë përdorur kanale kombëtare për informimin e kompanive të tjera të interesuara në sektorin energjetik.

Kush fshihet pas “Delvina Solar”?

Edhe pse kompania rezulton e regjistruar në Tiranë, hetimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) tregon një rrjet të ndërlikuar pronësie dhe transferimesh ndër vite:

  • Kompania ka qenë më parë në pronësi të shtetasve bullgarë dhe maqedonas, që dyshohet se janë “proxy” të përdorur për të fshehur pronarin e vërtetë.
  • Ajo ka ndryshuar disa herë selinë, dhe kompania mëmë është regjistruar edhe në Maqedoni.
  • Administratore e një prej fazave të aktivitetit të kompanisë ka qenë znj. Ela Puka, bashkëshortja e Endri Pukës.
  • “Njoftojmë se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara: DELVINA SOLAR, me vlerë 21.992.960 lekë/vit”. Pra, përveç kësaj firme, s’ka pasur asnjë firme tjetër, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar.

Në momentin e depozitimit të të dhënave të pronarëve përfitues në QKB, emri i Endri Pukës figuron si përfituesi i vërtetë, duke i dhënë fund përpjekjes për të fshehur gjurmët.

Kush është Endri Puka?

  • Ish-drejtor i kompanisë shtetërore Alpetrol, e cila ka një rol kyç në menaxhimin e fushave naftëmbajtëse dhe bashkëpunon me koncesionarët privatë të industrisë.
  • Për vite me radhë, ka qenë pjesë e rrethit të ngushtë të Koço Kokëdhimës, një prej figurave më të fuqishme politike dhe ekonomike në jug të vendit.
  • Sot, zotëron një rrjet kompanish, të regjistruara në Shqipëri dhe jashtë saj, që operojnë në sektorë si energjia, ndërtimi dhe investimet.

Çfarë po ndodh në Bashkinë Poliçan?

Kjo nuk është e vetmja manovër që po ndodh në mandatin e fundit të kryebashkiakut Adriatik Zotkaj. Raportime të tjera të ardhura pranë redaksisë flasin për një rritje të shpejtë të pasurisë së djalit të Zotkajt, i cili po përfshihet në biznese të ndryshme të lidhura me investime në energji, ndërtim dhe bujqësi.

Të gjitha këto përkojnë me një periudhë ku bashkia ka nisur të shpërndajë prona publike për qëllime që bien në konflikt të hapur interesi.

Një aferë që kërkon SPAK-un

Dhënia e 184 hektarëve tokë publike për një firmë me lidhje të qarta politike dhe familjare duhet të bëhet objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Mekanizmat e ankandit janë përdorur vetëm si mbulesë procedurale për një vendim që duket se është marrë shumë kohë më parë, në zyrat e errëta të pushtetit lokal.

Publikuar nga Publik Media