Kompania e dështuar në burgun e Peqinit fiton tenderin për komunikimet e Gardës së Republikës
Kompania AlbaScan, e cila u bë famëkeqe pas skandalit në burgun e Peqinit ku një i burgosur kreu vrasje me armë të futur pa u kontrolluar, është shpërblyer sërish me fonde publike. Bashkë me “Laviva Technologies” shpk, kjo kompani ka fituar tenderin e Gardës së Republikës për furnizimin me pajisje komunikimi dhe elektronike, me një vlerë prej 38.3 milionë lekësh pa TVSH, ose 94.5% të fondit limit.
Tenderi është zhvilluar në mënyrë të kufizuar, me justifikimin se i përket fushës së sigurisë kombëtare, por në praktikë pa transparencë për publikun. E vetmja kompani tjetër që u kualifikua në fazën e parë, AES Communication, nuk dorëzoi ofertë për fazën përfundimtare, duke lënë të vetme në garë konsorciumin “Laviva – AlbaScan” dhe duke shtuar dyshimet për tender të paracaktuar.
Një kompani që dështoi në sigurinë e burgjeve, shpërblehet me miliona
AlbaScan ishte përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit të sigurisë në burgje, përfshirë edhe në Peqin, ku ndodhi një nga incidentet më të rënda të viteve të fundit. Skaneri ishte jashtë funksionit, kamerat nuk punonin, dhe arma u fut brenda qelive pa u diktuar. Pavarësisht kësaj, kompania vazhdon të paguhet me qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit.
Vetëm në muajin janar 2025, AlbaScan përfitoi afro 600 mijë euro për sistemet e burgjeve, nga Thesari i Shtetit dhe AKSHI. Dhe kjo është vetëm një pjesë e pazërit të madh që kjo kompani përfiton çdo muaj – ndërsa shërbimi që ofron është faktikisht i dështuar.
Një ngritje marramendëse pas privatizimit
E themeluar në vitin 2017 me një xhiro prej vetëm 50 mijë eurosh, “AlbaScan” ka pësuar një rritje të rrufeshme pasi u ble në vitin 2019 nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgji për vetëm 150 mijë lekë. Që nga ajo kohë, qarkullimi vjetor i kompanisë ka kapur shifra marramendëse, duke arritur në reth 2 milionë euro në muaj nga kontratat publike.
Nga 2019 deri më tani, kompania ka marrë rreth 35 milionë euro kontrata nga buxheti i shtetit.
Kompania u themelua në vitin 2017, me një xhiro modeste prej 50 mijë euro. Në vitin 2019, vëllezërit Elton dhe Elision Jorgji e blenë për vetëm 150 mijë lekë. Sot, kjo kompani ka një xhiro mujore prej 2 milionë euro, të gjitha të siguruara përmes kontratave me shtetin.
Nga 2019 deri më sot, AlbaScan ka përfituar mbi 35 milionë euro nga tenderët publikë. Një pjesë e madhe e kontratave janë fituar në bashkëpunim me kompaninë “Advanced Business Solutions”, e denoncuar si e lidhur me rrethin e afërt të kryeministrit Edi Rama.
Milionat që nuk japin siguri
Disa nga tenderët më të mëdhenj të fituar nga këto kompani përfshijnë:
- 6 milionë euro për sistemet e sigurisë në burgje
- 16 milionë euro për laboratorë “smart” në shkolla
- Kontrata të tjera për survejim elektronik, sisteme digjitale dhe pajisje komunikimi
Megjithë këto shifra marramendëse, skandalet dhe problemet teknike janë të përhershme dhe askush nuk mbahet përgjegjës. Sistemet bien nga njëri skandal në tjetrin, por qeveria vazhdon të transferojë miliona nga paratë e taksapaguesve drejt kompanive që dështojnë të garantojnë sigurinë publike.
Ky është vetëm një tjetër kapitull në sagën e abuzimit me fondet publike në Shqipëri ku dështimi shpërblehet dhe përgjegjësia zhduket bashkë me paratë.