NRG ‘mushkonja’ kontrabandë & tendera nga Myzyri i KPP

Investigim i publik.al

Në hijen e verës dhe nën aromën e spërkatjes kundër mushkonjave, po avullojnë miliona euro nga buxheti i shtetit përmes një skeme të dyshuar kriminale që përfshin tenderë të manipuluar, kontrabandë medikamentesh dhe favorizim të hapur nga zyrtarë të lartë. Në qendër të kësaj skeme janë dy emra: kompania NRG Shpk dhe kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri.

Spërkatja që sjell më shumë erë korrupsioni se dezinfektimi

Kompania NRG, themeluar nga italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare Flutura Nuredini, ka përfituar miliona euro në tenderë për dezinfektimin e zonave urbane dhe bregdetare. Kjo ndodhi edhe pse kompania është nën hetim penal nga Prokuroria e Tiranës për kontrabandë produktesh kimike, me dosje penale të regjistruar me nr. 3443/25 dhe me rrezik deri në 10 vite burg, sipas neneve 171 dhe 173 të Kodit Penal.

Pronarët e kompanisë NRG, italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Flutura Nuredini, janë nën hetim të thelluar nga Prokuroria e Tiranës për kontrabandë medikamentesh, me të cilat realizojnë spërkatjen kundër mushkonjave. Pra, nga njëra anë firma fiton me influencat e Myzyrit tendera me shumë zero dhe nga ana tjetër, medikamentet me të cilat duhet të spërkasë zonat, futen në mënyrë të paligjshme.

Një skemë sa kriminale aq edhe në dëm të shtetit, i cili humb dy herë. Myzyri e shpall fitues NRG-në me oferta më të larta dhe firma fituese as nuk paguan doganë!

Faksimile: Dy nenet e Kodit Penal që është nën akuzë NRG, rrezikon 10 vite burg

Dosja 3443\25 kundër NRG-së

Si funksionon skema?

  • Agjencia e Blerjeve të Përqendruara shpall fitues kompani me ofertë më të ulët (p.sh. Flofarma me 100 mijë euro për Qarkun Durrës).
  • Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), me në krye Myzyrin, skualifikon ofertat e lira dhe shpall fitues NRG, që ofron më shumë (p.sh. 140 mijë euro për të njëjtin lot).
  • E njëjta histori në Qarkun Fier: kompania “Egian” ofron 170 mijë euro, por fiton NRG me 200 mijë euro.
  • Produkti që spërkatet? Kontrabandë, i padeklaruar në doganë dhe i futur pa leje importi, madje i sekuestruar në sasi prej 93 litrash koncentrat – mjaftueshëm për tonelata insekticidi që përdoret mbi plazhet dhe qytetet shqiptare
  • Në vitin 2011, italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Flutura Nuredini, themeluan kompaninë NRG, fillimisht me një emër tjetër. Kjo shoqëri operon në fushën e dezisektimeve dhe dezinfektimeve, madje importon edhe produkte që përdor.Shpesh herë, firma është lakuar se favorizohet dukshëm në procedura tenderuese që zhvillonte fillimisht Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Një nga rastet më flagrante ka qenë tenderi i spërkatjes së zonave bregdetare, i ndarë në disa lote në vitin 2023, teksa ka pasur një “luftë” të ashpër mes firmave. Procedurat e zhvilluara patën të tjerë fitues në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe të tjerë (NRG-ja) në Komisionin e Prokurimit Publik. Pra, në shkallë të parë APP fitonte gjithmonë oferta më e ulët, ndërkohë në KPP fitonte oferta që kishte ofruar më shumë, firma NRG, me një “ndihmë” të madhe nga Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit. Firmat që ofronin më pak skualifikoheshin!
    Jonaid Myzyri

    Pikërisht këto procedura kanë dërguar disa herë në SPAK Myzyrin dhe anëtarët e tjerë, teksa përveç dëmit financiar dëm të madh kanë edhe pushuesit apo strukturat akomoduese në bregdet, të cilat “luftojnë” çdo verë me insektet bezdisëse, të cilat shumohen me shpejtësi. Sipas të dhënave nga ISHP-ja, në 12 vitet e fundit, bregdeti është dezinfektuar 4 herë dhe në këto 3 herë, tenderët janë fituar nga kompania NRG shpk, me ofertën më të lartë.

    Ndërkohë, çuditërisht me zhvillimin e tenderëve, ka pasur edhe një “luftë” të fortë në organet ligjzbatuese apo edhe në gjykata. Policia dhe Prokuroria kanë vepruar disa herë, madje ka pasur edhe kallëzime ndaj firmës NRG për kontrabandë.

    Në Prokurorinë e Tiranës firma NRG Shpk, dhe pronarët e saj, janë nën hetim. Ata kanë dosje për kontrabandë produktesh, ndërsa po hetohen me nenet 171 dhe 173 të Kodit Penal, të cilat parashikojnë deri në 10 vite burg. Mësohet se dosja mban numrin 3443/25 dhe është në fazën e hetimit paraprak. Sipas të njëjtave burime, kontrabanda e produkteve është faktuar edhe nga hetimi doganor dhe antikontrabanda e Drejtorisë së Doganës së Tiranës. Mësohet se firmës NRG i janë sekuestruar në flagrancë 93 litra produkt kontrabande. Ky produkt, pa leje importi dhe përdorimi në Republikën e Shqipërisë (pasi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe kriminale), po të shkrihet në ujë përkthehet në tonelata insekticid, i cili do të përdorej në mjedise të ndryshme.

    Faksimile: Kallëzimi i NRG-së për firmat konkurrente, pavarësisht se është vetë nën hetim për kontrabandë

    NRG ka luftë me drejtësinë, por fiton miliona nga Myzyri!

    Më sipër faktuam se firma NRG, që ka fituar në vitet e fundit tenderët e spërkatjes kundër mushkonjave, është nën hetim të thelluar për kontrabandë. Ndërkohë, çuditërisht e njëjta firmë ka bërë kallëzim për firma të tjera se kanë shkelur ligjin. Një “luftë” absurde, e cila bëhet për të humbur gjurmët.

    Por nëse bën vetë kontrabandë, kapesh me “presh në duar”, hetohesh, për çfarë mund të favorizosh? Skema është e qartë, e “mjeshtrave” italianë që, pasi vijnë në Shqipëri, krijojnë një rrjet dhe arrijnë të depërtojnë deri në institucione të rëndësishme. Marco, italiani i NRG, ka depërtuar deri te KPP-ja, duke kapur Jonaid Myzyrin, i cili e ka qejf t’a kapësh, pasi ka krijuar edhe ai një rrjet firmash që i favorizon gjithmonë, edhe këto të denoncuara nga VoxNews.

    Në një rast, Komisioni i Prokurimit Publik skualifikoi një firmë nga gara e tenderit, pasi kishte “falsifikuar” dokumentet. Por, s’kishte asnjë vendim prokurorie, gjykate, policia apo edhe të ministrive të ndryshme që faktonin falsifikimin. Myzyri në mënyrë tepër të dyshimtë mori rolin e prokurorit, gjyqtarit, policit apo edhe të ministrit.

    Faksimile: Vendimi i KPP që i dha fitoren në tavolinë firmën NRG për tenderin e lotit 4 në Durrës

    Faksimile: Bilanci i kompanisë NRG në vitin 2023, ku deklaroi një fitim prej 19 mijë eurosh

Vendime të gjykatës? S’ka problem, Myzyri vendos vetë

Myzyri, i thirrur disa herë nga SPAK dhe Prokuroria e Tiranës, akuzohet për shpërdorim detyre dhe moszbatim të vendimeve të formës së prerë të Gjykatës Administrative. Ai ka skualifikuar kompani të tjera për “falsifikim dokumentesh”, pa patur ndonjë vendim nga prokuroria apo gjykata – duke marrë rolin e prokurorit, gjyqtarit dhe ekzekutivit në një person të vetëm.

Bilanc miliarda fitim 19 mijë euro?!

Pavarësisht fitimeve me tenderë publikë, bilancet zyrtare të NRG-së për vitin 2023 tregojnë një fitim prej vetëm 19 mijë eurosh. Me pak fjalë: një kompani që merr miliona, deklaron të ardhura më të ulëta se një fast-food në një lagje periferike. E gjitha kjo lë vend për dyshime mbi fryrjen e kostove, shmangien e tatimeve dhe pastrimin e parave.

FSHF ka klientelën e saj për stadiumin, ndërsa KPP ka klientelën për insekticidin. Në të dyja rastet, populli paguan dhe mbetet jashtë: njëri jashtë tribunave, tjetri nën kafshimet e mushkonjave.

Ndërkohë që pushuesit në plazhe pickohen çdo verë nga insektet, në Tiranë zhvillohet një lojë shumë më helmuese: tenderat me zero transparencë dhe milionat që përfundojnë në xhepat e një grupi të vogël të lidhur mes tyre – me kontrabandë, me arrogancë dhe me bekimin institucional.

Publikuar nga Publik Media