Policia ka dalë me 10 variante për vrasjen e Martin Canit

“Zgjodha ta publikoj atë video që të mos lihej në harresë kjo ngjarje dhe që të bëhet drejtësi”

Vrasja e Martin Canit 8 muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë tronditi vendin.

Ngjarja solli reagime të forta për zbardhje të saj dhe reflektim për brezin e ri që po rritet.

Në hyrje të emisionit “Top Story”, pas publikimit të videos nga gazetari Eraldo Harlicaj, moderatorja Grida Duma tha se media ka qenë “pushteti” që ka siguruar që kjo ngjarje të mos harrohej.

“Nuk ka asnjë shqiptar që mund të jetë indiferent ndaj ngjarjes. Kjo tragjedi në momentet e para siç e kemi ndjekur dhe analizuar, është dashur një reagim shumë më i madh sa i përket përmasës së tragjedisë.

Media ka qenë pushteti që ka siguruar një lloj valvule sigurie për familjen e Martinit që kjo ngjarje nuk mund të lihej në harresë. Media e ka bërë këtë kudo në Shqipëri. Në Top Story kemi mbajtur një standard, duke e konsideruar të shenjtë.

Vrasja e një fëmijëve nga një fëmijë është një tragjedi për familjet. Ne me shumë gojë, siç po më merret fryma për të mos e themi të gjithën, kemi edhe rrëfimin e babait të fëmijës që e goditi Martinin. Duke mbajtur këtë balancë edhe nga familja që nuk do donte kurrë që fëmija të godiste diku tjetër”, tha Grida Duma.

Ndërsa gazetari Eraldo Harlica tha se mori përsipër përgjegjësinë për publikimin e videos, me synim që të zbardhjet e vërteta e kësaj ngjarjeje, pasi në pamje shfaqeshin të gjithë personat që ishin prezentë në atë çast, në mënyrë që çështja të mos lihej në harresë dhe të bëhet drejtësi.

“Zgjodha ta publikoj atë video që të mos lihej në harresë kjo ngjarje dhe që të bëhet drejtësi”, tha ai.

Ndërsa avokati i familjes Cani, Redi Ramaj tha “nuk e ka vrarë videoja Martini dhe as publikimi i saj”, ndërsa theksoi se videoja duhej të dilte në proces të hapur gjyqësor dhe të ishte publike.

“Vetëm familja e Martin Canit mund të flasë për të drejtën etike për publikimin e videos, askush tjetër”, tha avokati Ramaj që shtoi se “policia ka dalë me 10 variante të ndryshme për vrasjen e Martin Canit”.

Publikuar nga Publik Media