Në një vend ku shumica e qytetarëve luftojnë për të përballuar qiranë mujore dhe çmimet e ushqimeve, një “mrekulli” financiare ka ndodhur në Durrës. Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Socialiste, Arkend Balla, ka deklaruar se ka në llogarinë e tij bankare plot 2.3 milionë euro dhe të gjitha, sipas tij, janë “kursime nga paga”!
Sipas të dhënave të siguruara nga OpenData, Balla ka deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2024 shumën 230,207,998 lekë, që e konverton në rreth 2.3 milionë euro. Ai thotë se këto janë të ardhura nga paga pa trashëgimi, pa fitime biznesi, pa investime apo të ardhura të tjera të ligjshme të dokumentuara.
Por si mundet që një deputet në Shqipëri, me një pagë mujore neto prej rreth 170 mijë lekësh, të kursejë 2.3 milionë euro? Matematika është brutalisht e pamëshirshme: për ta arritur këtë shumë, dikujt me këtë rrogë do t’i duheshin 113 vjet kursime të plota, duke mos shpenzuar asgjë as për ushqim, as për strehim, as për taksa, madje as për një kafe!
Në të njëjtën kohë, shqiptarët e zakonshëm përballen me:
- Rritje të frikshme të qirave
- Çmime të papërballueshme të ushqimeve dhe energjisë
- Kushtet e pafavorshme për kredi
- Shpresën gjithnjë e më të largët për të zotëruar një shtëpi
Por Arkend Balla një politikan në të tridhjetat na paska master në kursim. Dhe jo vetëm kaq: Balla është akuzuar publikisht se përfaqëson jo thjesht qytetarët e Durrësit, por interesat e një elektorati shumë të veçantë atë të bandave që kërkojnë zë në Kuvend.
A do e verifikojë ndonjëherë SPAK burimin real të këtyre pasurive të deklaruara si “paga”? Apo do ta kalojë edhe këtë si një tjetër “çudi shqiptare”, ku pagat modeste prodhojnë milionerë, e qytetarët mezi mbajnë frymën?