KRIM MJEDISOR NË PARKUN KOMBËTAR TË VJOSËS

LUMI I EGËR PO MBYTET NGA NAFTA!

Në zemër të Parkut Kombëtar të Vjosës, një ndër pasuritë më të rralla natyrore të Evropës, po ndodh një krim i rëndë mjedisor. Përroi i mbushur me naftë bruto që vërshon drejt lumit Vjosa, e cilësuar si “lumi i fundit i egër në Evropë”, ka sjellë pasoja alarmante për ekosistemin, ndërsa institucionet shqiptare vijojnë të heshtin.

Pamje tronditëse të shpërndara nga organizata “EcoAlbania” dhe aktivistë ndërkombëtarë, si Joshua David Lim i RiverWatch, tregojnë një situatë të patolerueshme: vija uji të zeza, gjallesa të ngordhura, përroi që derdhet drejt lumit dhe një erë vdekjeje që përhapet mbi një nga zonat më të mbrojtura në vend.

Naftë në vend të ujit të pastër

Burimi i ndotjes është fusha naftëmbajtëse Gorisht-Kocul, në Selenicë, e administruar nga kompania shtetërore Albpetrol, nën varësinë e Ministrisë së Energjisë. Nga stacioni i përpunimit të naftës në Gorisht, mbetjet e rënda derdhen përmes Përroit të Madh të Mërtirajt dhe përfundojnë direkt në Vjosë duke ndotur një ekosistem me mbi 1,000 lloje të ndryshme bimësh dhe kafshësh.

Pamjet filmike të regjistruara në Poçem, në këmbët e Vllahinës, tregojnë qartë pasojat: një gjarpër i ngordhur, zogj dhe amfibë të zhdukur, jetë që fiket çdo ditë përballë neglizhencës shtetërore.

Park Kombëtar vetëm në letër?

Vetëm një muaj më parë, Shqipëria aplikoi që Parku Kombëtar i Vjosës të përfshihej në listën prestigjioze të UNESCO-s si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës. Por si mund të kërkosh status ndërkombëtar për një park që po helmohet nga vetë institucionet që duhet ta mbrojnë?

Sipas biologut Olsi Nika nga EcoAlbania, ky nuk është një incident i izoluar. “Kjo është një ndotje e përvitshme që ka ekzistuar edhe përpara se zona të shpallej Park Kombëtar.

Gjallesat janë të destinuara të ngordhin”

“Ka pasur gjarpërinj, zogj, amfibë që i kemi gjetur të ngordhur. Nafta që vërshon nuk ndot vetëm përroin, por e përhap ndotjen përgjatë gjithë lumit Vjosë. Ky është një ekosistem i veçantë dhe delikat, që nuk po merr mbrojtjen që i takon,” thotë Nika.

Sipas tij, “kjo nuk është më një ndotje e lokalizuar  është një goditje e drejtëpërdrejtë ndaj gjithë ekosistemit.”

Ku është shteti?

Kompania Albpetrol ka tentuar, sipas aktivistëve, të pastrojë pjesërisht zonën e ndotjes, por ndërhyrjet janë përshkruar si “amatoreske”. Olsi Nika bën thirrje për një plan të mirëfilltë rehabilitimi, ku të përfshihen qeveria, komunitetet vendore dhe operatorët ekonomikë.

“Parimi ‘ndotësi paguan’ duhet të vendoset urgjentisht në fuqi. Përroi mund të jetë vetëm 5-6 kilometra i gjatë, por pasojat e tij janë fatale për një park që duhet të ishte i mbrojtur me ligj,” thekson ai.

Skandal që përsëritet çdo vit

Ndotja nga Gorishti nuk është rast i izoluar. Çdo vit, lumenjtë shqiptarë vuajnë nga papërgjegjshmëria e shtetit dhe mungesa e kontrollit mbi aktivitetet industriale. Këtë vit, me temperaturat e larta, nafta bruto është përhapur më shpejt dhe më thellë në truallin e lumit, duke e bërë pastrimin thuajse të pamundur.

Organizata ndërkombëtare “Blue Heart River” e ka quajtur situatën “emergjencë mjedisore”, duke kërkuar masa urgjente.

Por nga qeveria shqiptare  asnjë reagim.

A do të shpëtojë Vjosa?

Parku Kombëtar i Vjosës u shpall më 13 mars 2023 si i pari i këtij lloji në Evropë, dhe përfshin një sipërfaqe prej mbi 12,000 hektarësh në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Por, pa mbrojtje reale, ky status mbetet një fletë boshe në një faqe propagande.

Publikuar nga Publik Media