Manush Kullolli, kap ça t’kapësh para ikjes!

Drejtori i AKU-së, 132 milionë lekë tender për epruveta dhe qelqurina   në shkelje të ligjit

Publik.al|Alber Mero

Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama e “pezullon” Autoritetin Kombëtar të Ushqimit duke i hequr kompetencat, ndërsa nga ana tjetër, i jep qindra milionë lekë për të blerë pajisje laboratorike që nuk garantojnë as sigurinë minimale për konsumatorët. Një tjetër rast i pastër i modelit: “Kap ça t’kapësh para se të ikësh”.

Në datën 26 qershor 2025, AKU shpalli një tender me objekt “Blerje materiale dhe pajisje laboratorike të shërbimit publik”, me një fond limit prej 13.131.349 lekë pa TVSH (rreth 132 milionë lekë të vjetra), ndërkohë që mbajtja e procedurës është caktuar për më 14 korrik. Në dukje një tender teknik, në realitet një skemë favorizimi.

Dyshimet për paracaktimin e fituesit kanë ngritur alarmin, duke bërë që brenda pak ditësh të mbërrijnë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) dy ankesa të ndryshme nga kompanitë pjesëmarrëse.

Kompania “ALMedical” sh.p.k. në ankesën e saj, të firmosur nga administratorja Laida Suloti, denoncon hapur që tenderi është ndërtuar mbi kritere të personalizuara për një kompani specifike, duke përmendur emra brandesh që kanë vetëm një distributor në Shqipëri.

Sipas tyre, kërkesa për letra autorizimi e bën tenderin jo vetëm të mbyllur, por edhe të paligjshëm sipas nenit 36 të Ligjit për Prokurimin Publik, që ndalon në mënyrë eksplicite përmendjen e markave dhe origjinave të kufizuara në mënyrë të pajustifikuar.

Ndërsa kompania tjetër, “Gama” sh.p.k., ka dërguar më 1 korrik një tjetër ankesë ku kërkon modifikimin e dokumenteve të tenderit dhe zgjatjen e afatit të lëvrimit të mallit, për shkak të paqartësive dhe specifikimeve që kufizojnë konkurrencën. Në udokument thuhet qartë se kriteret janë të paqarta, të njëanshme dhe cenojnë garën e lirë dhe të ndershme.

Nga skandali i salmonelës te tenderët e dyshimtë

Olsi Komici tashmë deputet i PS në Elbasan

Ky tender vjen në një kohë kur drejtori i AKU-së, Manush Kullolli, është i përfshirë në një sërë skandalesh që lidhen me sigurinë ushqimore në vend. Kullolli u komandua në këtë detyrë në mars 2025 nga ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, duke zëvendësuar Olsi Komicin, tashmë kandidat i PS në Elbasan.

Manush Kullolli, Anila Denaj

Gjatë drejtimit të tij, AKU u përball me një skandale: produktet e kompanisë “diMal” që përmbanin bakterin e salmonelës u futën në treg me lejen e inspektorëve të AKU-së. Tre inspektorë u proceduan penalisht, ndërsa një sërë produktesh u shitën masivisht në treg përpara se të dalin analizat. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për skemën që rrezikoi drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Fation Pasholli ish-drejtor

Fatjon Pasholli, ish-drejtor i AKU Tiranë, dha dorëheqje pas skandalit të mishit me salmonelë, duke deklaruar publikisht se nuk përballonte dot presionet, ndërkohë që në krye të zyrës u emërua Alketa Hoxha juriste e AKU-së.

Skandalet s’kanë të ndalur: mandarina me pesticide të ndaluara, peshk me parazitë, luleshtrydhe helmuese nga Greqia dhe 27 tonë mish pule të kontaminuar nga Brazili që u shpërnda në 154 pika tregtare përpara se analizat të bënin të ditur se ishte i rrezikshëm për konsum.

Laboratori i AKU  një gropë korrupsioni që thith para

Në vitin 2022, janë shpenzuar 403 milionë lekë për pajisje laboratorike. Dhe përsëri, laboratori nuk garanton analiza në kohë për produktet ushqimore që hyjnë në vend. Në vitin 2019, me një urdhër të ministrit Bledi Çuçi, iu dha e drejta edhe privatit  laboratorit “Noval”, në pronësi të oligarkut Petrit Maho, të kryente analizat e kontrollit zyrtar. Ironikisht, Mahos i lejohet të bëjë analizat edhe për vezët që vetë prodhon me markën BEATA.

Tani, Kullolli para largimit nga zyra, 

po përpiqet të përmbyllë tenderin 132 milionësh, duke ndjekur modelin klasik “kap ça t’kapësh”,  ndërsa qytetarët hanë ushqim të kontaminuar, burokracia e AKU-së pasurohet në kurriz të shëndetit publik.

Publikuar nga Publik Media