Theth,banorët futen në ndërtesë për të ndalur fadromat
Një situatë e tensionuar është zhvilluar sot gjatë orëve të paradites në një nga zonat ku po vijon aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje. Policia ka krijuar një kordon sigurie për të mundësuar vijimin e operacionit, duke tentuar të largojë qytetarët nga zona, por përballja me banorët ka shkaktuar rritje të ndjeshme të tensioneve.
Fadromat kanë tentuar të nisin shembjen e objektit, por janë ndalur përkohësisht pasi në ndërtesë janë futur anëtarët e familjes që refuzojnë të dalin. Me këtë veprim ata kanë vënë në rrezik edhe jetën e tyre, në përpjekje për të mbrojtur shtëpinë që pretendojnë se e kanë ngritur me sakrifica.
Prishja e godinës së fundit pa leje në Theth është shoqëruar me skena të tensionuara dhe përplasje të forta mes banorëve dhe autoriteteve.
Fadroma e IKMT-së mbërriti në objektin e fundit të listuar për shembje, por u përball me rezistencën e fortë të banorëve, të cilët kërkuan një vendim gjykate që të justifikonte ndërhyrjen.
Banorët u ulën në rrugë, duke bllokuar kalimin e mjeteve të IKMT-së dhe duke e kthyer terrenin në një skenë proteste. Ndërsa situata përshkallëzohej, forcat e policisë ndërhynë fuqishëm, duke krijuar një kordon sigurie dhe më pas duke hyrë me forcë në banesë. Banorët, u nxorën me dhunë nga shtëpia që përpiqeshin të mbronin.
Pavarësisht rezistencës së tyre, pas disa orësh tension dhe përballje, godina u shemb. Banorët e tronditur paralajmërojnë për hapa ligjorë dhe nuk përjashtojnë protesta të reja kundër veprimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta dhe brutale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



