Rama trim me të varfërit në Veri, qorr me mafien e ndërtimit në Jug
Në një reagim të fortë në Facebook, avokati Arben Llangozi kritikon ashpër qasjen selektive të qeverisë ndaj ndërtimeve pa leje.
Ai thekson se ndërsa në Veri shteti shemb kasollet e banorëve të thjeshtë me bujë mediatike, në Jug mbyll sytë përballë ndërtimeve luksoze pa leje, shpesh të lidhura me njerëz të pushtetit.
Sipas Llangozit, Shqipëria është ndarë në dy realitete: një vend ku ligji vepron vetëm mbi të dobëtit dhe hesht për të fortët.
“Edi Rama bëhet trim me të varfrit në Veri, dhe bën qorrin përballë mafies së ndërtimit në Jug
Në Theth dhe Valbonë, Edi Rama tregohet trim. Shemb një kasolle të ndonjë të varfri, nxjerr dronët, bën video e flet për “mbrojtje të natyrës”. Por në mbyll sytë. Atje ku ndërtohet buzë detit pa leje, ku natyra shkatërrohet për luks dhe interesa private, Rama nuk ka as dron, as kamera, as zë.
Një shembull konkret është dhe kjo video e cila është fakt dhe një ndërtim në zonën e Llamanit në Himarë. Dy shtetas Gerti Sota dhe Soni Lala ndërtojnë pa asnjë leje ndërtimi. Shkelin ligjin hapur, pa frikë. Ndërtojnë në vijën bregdetare, aty ku as nuk lejohet të prekësh rërën, jo më të hedhësh beton. Por askush nuk i ndal. As policia e shtetit, policiq ndërtimore, as bashkia, as Edi Rama.
Dhe e dini pse? Sepse në Jug ndërtojnë të fortët. Ndërtojnë ata që kanë para, lidhje dhe miq në pushtet. Dhe shteti i mbyll sytë. Soni Lala, për shembull, është i punësuar në Bashkinë Himarë. Pra, ai që ndërton pa leje, është pjesë e institucioneve që duhet të ndalojnë ndërtimet pa leje.
Madje, Soni Lala ndërton pa leje dhe e fsheh ndërtimin në emrin e dikujt tjetër Gerti Sota nga Fieri. Një truk i vjetër një lloj mafie lokale, ku ligji nuk ekziston dhe gjithçka zgjidhet me para, miq dhe arrogancë.
Ndërsa në Veri? Aty është ndryshe. Aty s’ka mafie, s’ka të fortë, s’ka para. Ka vetëm njerëz të thjeshtë, që mezi mbajnë frymën gjallë. Dhe aty, shteti tregohet i ashpër. Sepse e ka të lehtë të shtypë të dobëtit.
Pyetja është e thjeshtë, pse në Jug lejohet gjithçka, ndërsa në Veri ndalohet gjithçka? Pse Rama bëhet “burri i shtetit” në një fshat të harruar në mal, por hesht si “lepurush” kur mafia ndërton pa leje buzë detit?
Ka vite që dëgjojmë Edi Ramën të flasë për “luftën kundër ndërtimeve pa leje”, për “mbrojtjen e natyrës”, për “turizmin e qëndrueshëm”, për “ligjin që nuk fal askënd”.
Në fjalë, Shqipëria është një parajsë ekologjike dhe ligjore. Por në realitet? Shqipëria është ndarë në dy, në Veri ku shteti shemb kasollet e të varfërve dhe në Jug, ku të fortët ndërtojnë buzë detit pa i pyetur as ligjin, as shtetin, as natyrën.
Po ta kesh ndërtimin buzë detit, një resort në Llaman, një hotel në Dhërmi, një vilë në Jale nuk vjen askush. Atje ligji nuk vepron. Atje sundon heshtja, frika dhe kompromisi.
Sepse Shqipëria e vërtetë nuk është as në dronet e qeverisë, as në spotet e turizmit. Është në padrejtësinë e përditshme që fshihet pas betonit të paligjshëm,” shkruan avokati Llangozi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



