E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga konfiskimi tek shpërblimi: Si u “fal” një përbindësh 30-katësh në zemër të Tiranës
Lajme

Nga konfiskimi tek shpërblimi: Si u “fal” një përbindësh 30-katësh në zemër të Tiranës

 

Në Shqipëri, çudirat nuk zgjasin as tri ditë ndonjëherë as tri orë. Ky është rasti i ndërtuesit Alban Bitraj, të cilit, vetëm disa muaj pasi iu konfiskua një pallat 9-katësh i ndërtuar pa leje në rrugën “Kont Urani” në Tiranë, i është dhënë me “bekimin” e shtetit një leje e re për një përbindësh 30-katësh në zemër të Astirit.

Ky është morali i ri i ndërtimit në Shqipëri: konfiskimi është formalitet, shpërblimi është realitet.

Sipas vendimit të KKT-së (Këshilli Kombëtar i Territorit), në muajt e fundit është miratuar leja për ndërtimin e një godine gjigante me 30 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë në afërsi të mbikalimit të Unazës së Re  një zonë e ndjeshme urbane që është shndërruar në tokë të bekuar për oligarkët.

Leja është dhënë për kompanitë “Ere Architecture & Construction”, “Bega-07” dhe vetë z. Alban Bitraj –të njëjtin ndërtues që, me dokument zyrtar të KKT-së, pak muaj më parë kishte ndërtuar pa leje një tjetër objekt me 9 kate dhe 2 kate parkimi nëntokë në qendër të Tiranës.

Nga konfiskimi për “interes publik”, në leje ndërtimi për “interes klientelist”

Vendimi i konfiskimit ndaj pallatit në “Kont Urani” përmendte qartë se objekti ishte ndërtuar pa leje për “qëllime fitimi”. Por nuk kaluan as disa muaj, dhe të njëjtit person i jepet një tjetër truall për të ndërtuar një objekt shumë më të madh, me një intensitet ndërtimi që sfidon çdo logjikë urbane dhe çdo normë ligjore.

A është ky një rast i izoluar? Jo. Partneri i tij në këtë projekt, Arben Muçobega, është gjithashtu një emër që ka marrë disa leje të dyshimta ndërtimi në bregdet  nga Himara në Llaman e Dhërmi.

Astiri i kullave, jo i qytetarëve

Zona e Astirit, dikur simbol proteste për të drejtën për banesë dhe dëmshpërblim, tashmë po shndërrohet në një laborator të ndërtimit të kullave. Shteti që dikur premtonte “zero tolerancë” për ndërtimet pa leje, sot jep leje për përbindësha betoni mbi po të njëjtët emra që shkelin ligjin dhe pastaj shpërblehen.

Të gjitha këto vendime kalojnë përmes KKT-së, një institucion që më shumë se për territorin, po kujdeset për interesat e ndërtuesve të privilegjuar  ndërsa qytetarët nuk kanë më as zë, as truall.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.