Nga“Top Seven”te“Top Investitor”-Rrjeti i pastrimit të Orges Bircajt
Rrjeti i pastrimit të Orges Bicajt
Në një vend ku bizneset e vogla shemben për një tendë pa leje dhe qytetarët gjobiten për karrige mbi trotuar, një grup i ngushtë njerëzish duket se jetojnë sipas një tjetër kodi – një Shqipërie paralele, ku kullat ngrihen në heshtje, supermakinat ekspozohen me krenari, dhe bregdeti ndërtohet sikur të ishte tokë pa zot.
Në qendër të kësaj skeme që po zë gjithnjë e më shumë sy është Orges Bircaj.
1. Top Seven Luxury Cars – Fasada e luksit dhe e parave të padeklaruara?
Showroom-i Top Seven në Tiranë është kthyer në simbolin e shfrenimit automobilistik: Rolls Royce, Ferrari, McLaren, Mercedes Brabus – makina që në tregun europian kapin vlera nga 250 deri në 600 mijë euro. Biznesi funksionon si “depozitë luksi”, por askush nuk di të shpjegojë se si u krijua ky inventar, cilat janë burimet zyrtare të financimit dhe çfarë deklaron në tatime kjo kompani.
Të dhënat tregtare janë minimale, por ekspozimi është maksimal. Pyetja që lind është: a është ky showroom një mënyrë për të legalizuar para të tjera – ndoshta të ardhura nga ndërtimi apo investime të dyshimta?
2. Top Seven Tower në Laprakë – Kulla që po ngrihet mbi heshtjen institucionale
Në zonën e Laprakës, po ngrihet një kullë shumëkatëshe që mban emrin “Top Seven Tower” – një projekt me volum ndërtimi dhe investim që kap miliona euro. Aty ku qytetarëve u mohohet çdo rritje kati, Bicaj ndërton pa zhurmë, pa transparencë, dhe mbi të gjitha, pa shpjegim publik për origjinën e fondeve.
Në një qytet ku çdo hapësirë është e kufizuar dhe çdo ndërtim i lartë kalon në sitën e KKT-së, leja për një kullë të tillë në Laprakë ngre shumë dyshime për mbështetje politike apo pazare nën tavolinë.
Restoranti “Sin” në Palasë , fasada e luksit dhe pastrimit të parave
3. Investimet në Palasë – Orges Bircaj dhe kompleksi elitar “SIN”
Emri i Bicajt përmendet gjithnjë e më shpesh edhe në Palasë, ku ai është i lidhur me kompleksin “SIN” – një prej zhvillimeve më të shtrenjta dhe më të kontestuara në bregdetin shqiptar. Vila me çmime që fillojnë nga 700 mijë euro dhe shkojnë mbi 2 milionë, ndërtim agresiv, blerje tokash me firmëtarë që fshihen pas kompanive fantazmë – të gjitha përfshihen në këtë investim që duket më shumë si një lavatriçe elitare kapitali sesa një projekt turizmi.
Bicaj nuk shfaqet drejtpërdrejt si pronar, por burime nga brenda projektit tregojnë se ai është “koka financiare” në hije, përmes ortakëve të tretë dhe kompani të lidhura.
Një strukturë luksi që kërkon hetim
Në një vend normal, një person që shfaqet me makina luksoze, ndërton një kullë shumëkatëshe dhe investon në bregdet, duhet të provojë:
-
Origjinën e kapitalit
-
Transparencën e aktiviteteve të biznesit
-
Ligjshmërinë e ndërtimit dhe lejeve
Por në Shqipëri, kjo nuk ndodh. Dikush si Orges Bicaj mund të ngrejë një perandori ndërtimi dhe luksi në pak vite, pa u penguar nga asnjë institucion.
A ka lidhje me politikën? A është përdorur si “figurinë” për të fshehur aktorë më të fuqishëm? Apo është një histori klasike shqiptare, ku ndërtimi, pastrimi dhe ekspozimi janë pjesë e të njëjtës skemë?
Redaksia e Publik.al po vijon hulumtimin mbi lidhjet e tij me kompanitë ndërtuese, strukturat që legalizojnë projektet në Palasë, si dhe me rrjete financiare të padeklaruara që mund të lidhen me sektorin informal të ndërtimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



