Largimi i dy gazetarëve dhe heshtja në media po bëhet sistem
Largimi i gazetarëve Alba Alishani dhe Erion Dushi nga televizioni A2 CNN nuk është thjesht një ndryshim stafi, por një simptomë e një sëmundjeje më të thellë që po gërryen gazetarinë në Shqipëri. Asnjë arsye nuk u dha publikisht. Asnjë sqarim. Asnjë transparencë. Por në këtë vend, kur heshtet, zakonisht është sepse dikush e ka urdhëruar heshtjen.
Fatkeqësisht, nuk është hera e parë. Dhe nuk do të jetë as e fundit, për aq kohë sa mediat do të mbeten në duart e pronarëve që i shërbejnë pushtetit, jo publikut. Për aq kohë sa redaksitë do të kontrollohen nga interesa ekonomike që diktojnë lajmin, censurojnë të vërtetën dhe penalizojnë guximin.
Rasti i A2 CNN është ilustrues. Pronari Bashkim Ulaj, është mik i qeverisë dhe përfitues i projekteve më të shtrenjta dhe më të dëmshme për vendin.
Kjo është arsyeja pse nuk u transmetuan protestat për tokën në Rrjoll, denoncimet për HEC-et në Valbonë, aferat me koncesionin e Thumanë-Kasharit apo zaptimin e liqenit të Tiranës. Sepse kur interesat flasin, gazetarët heshtin ose më saktë, heshten.
Në vende të tjera, kur ndodh kjo, gazetarët ngrihen. Protestojnë. Organizohen. Nuk lejojnë që kolegët e tyre të largohen në heshtje. Në Francë, Slloveni, Gjermani solidariteti është forcë. Në Shqipëri, fatkeqësisht, është ende një luks i munguar.
Por koha po vjen. Dhe ka ardhur dita që edhe gazetarët shqiptarë të thonë mjaft. Të organizohen. Të kërkojnë mbrojtje nga vetja e tyre kolektive, jo nga ndonjë pronar, redaktor apo politikan.
Gazetaria nuk është pronë private. Është shërbim publik. Dhe kush e bën, duhet të ketë guximin dhe mbështetjen për ta bërë me integritet.
Largimi i dy gazetarëve nuk është fundi i botës. Por është një kujtesë e dhimbshme se sa lehtë zëvendësohet e vërteta me propagandën, kur media nuk ka më shpirt e as zë.
Nuk mund të ketë demokraci pa gazetarë të lirë. Dhe nuk mund të ketë gazetarë të lirë pa solidaritet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



