Raporti i Avokatit të Popullit për Ilir Metën
Arrestimi i ish-presidentit, me shkelje të të drejtave, por jo “rrëmbim”
Arrestimi i Ilir Metës më 21 tetor 2024 nuk ka qenë një “rrëmbim” siç pretendon ish-presidenti dhe avokatët e tij, por megjithatë nuk ka qenë as një proces dinjitoz e i respektuar sipas standardeve të ligjit.

Kështu konkludon Avokati i Popullit në një raport konfidencial, që sipas burimeve do t’i përcillet me sugjerime Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.
Shkeljet e evidentuara
Në raport, theksohet se në momentin e arrestimit:
Metës nuk iu komunikua menjëherë vendimi i gjykatës, duke shkelur të drejtën themelore për t’u informuar mbi masën e arrestit.
Nuk iu dha e drejta për një telefonatë me avokatin në çastin e ndalimit.
Policia nuk kishte kamera trupi për të provuar versionin e saj, ndaj merret për i besueshëm rrëfimi i Metës.
Gjithashtu, jelekët e policisë kishin mbishkrimin “Policia” vetëm në pjesën e pasme dhe jo përpara, duke mos e bërë të qartë për të dyshuarin se bëhej fjalë për një operacion policor.
Forcat Operacionale pa arsye
Raporti ngre pikëpyetje për përdorimin e forcave operacionale, të cilat sipas rregullave aktivizohen vetëm për persona me rrezikshmëri të lartë. Meta, i cili kishte respektuar ftesat e SPAK dhe ishte paraqitur përballë drejtësisë, nuk kualifikohej si i tillë.
Rasti i Atemis Pecës
Një tjetër shkelje e konstatuar ishte edhe ndaj Atemis Pecës, që ndodhej në të njëjtin mjet me Metën. Ai u shoqërua dhe u mbajt me pranga në ambientet e policisë pa qenë e nevojshme.
Regjistrimi me vonesë
Kontrolli i Avokatit të Popullit zbulon se emri i Ilir Metës u regjistrua në sistem dy orë pas arrestimit, ndonëse nuk u dërgua në dhomat e shoqërimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



