Pasi u përvëlua Shqipëria, Rama premton flotën e avionëve zjarrfik
TIRANË – Publik.al
Pas një vere ku Shqipëria u përfshi nga dhjetëra vatra zjarri që shkrumbuan qindra hektarë pyje e kullota, kryeministri Edi Rama ka bërë premtimin e radhës: krijimin e një flote kombëtare avionësh zjarrfikës.
Në ceremoninë e “Mirënjohjes Kombëtare”, ku u shpërndanë medalje për forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit, Rama pranoi përmasat dramatike të kësaj vere, duke përmendur se i gjithë Mesdheu “ishte në flakë si kurrë më parë” dhe se vetëm Bashkimi Europian humbi mbi 1 milion hektarë tokë nga zjarret.
Premtimi i ri pas kritikave
I pyetur për mungesën e avionëve zjarrfikës në Shqipëri, Rama u përpoq të justifikohej duke kujtuar se edhe vende me kapacitete të mëdha kanë hasur vështirësi. “Avionët nuk janë magjistarë… Edhe 22 avionët më të rinj nuk e ndalën zjarrin në Izmir”, tha ai, duke shtuar se ndihma nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile nuk ka munguar.
Megjithatë, Rama premtoi se vendi do të nisë ndërtimin e një flote të vetën, duke filluar me dy avionë zjarrfikës. Krahas tyre, sipas tij, terreni do të monitorohet nga dronë me kamera termike, do të pastrohen pyjet dhe do të krijohen korridore natyrore për parandalimin e përhapjes së flakëve.
Kronika e një vonese të përsëritur
Premtimi për avionë zjarrfikës nuk është i pari. Prej më shumë se një dekade, çdo vit pas sezonit të zjarreve, qeveria është kritikuar për mungesën e mjeteve ajrore në pronësi të Shqipërisë, duke u mbështetur vetëm te ndihmat e vendeve partnere. Deri më sot, asnjë flotë nuk është ngritur, ndërsa dëmet në pyje e biodiversitet janë bërë gjithnjë e më të mëdha.
Në fund, kryeministri kërkoi përfshirjen e institucioneve dhe shkollave në një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi:
“Çdo shkollë dhe institucion duhet të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje kombëtare për edukim, ndërgjegjësim dhe ripërtëritje të pyjeve tona.”
Me Shqipërinë që u dogj sërish këtë verë, qytetarët presin nëse premtimi për flotën e avionëve zjarrfikës do të mbetet si të tjerët vetëm fjalë pas zjarrit, apo më në fund do të kthehet në realitet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



