E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në  tre vite  në bankat e shkollës janë 25 mijë nxënës më pak
Lajme

Në tre vite në bankat e shkollës janë 25 mijë nxënës më pak

Rama uron 345 mijë nxënës për vitin e ri shkollor, por shifrat tregojnë rënie të ndjeshme në arsim

Kryeministri Edi Rama uroi sot fillimin e vitit shkollor 2024–2025 me një mesazh për 345 mijë nxënësit që ulen në bankat e shkollës dhe 26,500 fëmijët e klasave të para që nisin për herë të parë rrugën e dijes.

“Dhe duke ju uruar suksese 345 mijë nxënësve që ulen sot në bankat e shkollave, dhe 26,500 nxënësve të klasave të para, që nisin sot rrugën e bukur të dijes, ju uroj një javë të mbarë”, shkroi Rama.

Por pas këtij urimi optimist, që shënon nisjen e vitit të ri shkollor, qëndron një e vërtetë shqetësuese: numri i nxënësve në Shqipëri ka rënë ndjeshëm nga viti në vit.

Rënia nga viti në vit

Vetëm tre vite më parë, në bankat e shkollave shqiptare ishin rreth 370 mijë nxënës. Vitin e kaluar ky numër zbriti në 355 mijë, ndërsa sot janë vetëm 345 mijë.

  • Brenda tre vitesh janë 25 mijë nxënës më pak, një rënie dramatike për arsimin parauniversitar.
  • Arsimi 9-vjeçar është më i prekuri, me shkolla të fshatrave që boshatisen çdo vit, ndërsa Tirana përballet me mbingarkesë klasash.

Numri i nxënësve në shkolla është në rënie, prej uljes së lindjeve dhe emigracionit, por pas pandemisë, fenomeni po përkeqësohet.

Në vitin shkollor 2024-2025, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin 9-vjecar ishte 250.6 mijë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020-2025, totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%.

Ndërsa gjatë dekadës nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ra më mbi 31%, ose 112 mijë më pak.

Në nivelet më të ulëta të arsimit, përkatësisht në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar është ulur me 8%, duke kaluar nga 71,332 në vitin 2020 në 65,914 fëmijë në vitin e fundit.

Ky fenomen është tregues i tranzicionit të fortë demografik me uljen e lindjeve poshtë nivelit 1.5 fëmijë për grua dekadën e fundit, në krahasim me vitet 1990, ku ky tregues ishte mbi tre fëmijë për grua.

Arsimi fillor dhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) kanë pësuar tkurrje më të theksuar.

Në shkollat fillore, numri i nxënësve ka rënë me 14% ndërmjet 2020 – 2025, ndërsa në ciklin e lartë të arsimit bazë, reduktimi është 11%, duke reflektuar emigracionin e lartë të familjeve, përveç rënies së lindjeve.

Situata bëhet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% në periudhën në fjalë.

Gjatë këtyre viteve, regjistrimet në gjimnaze dhe shkolla profesionale kanë pësuar rënie prej 19%, duke reflektuar largimin e të rinjve në emigrim.

Arsimi profesional ka shënuar gjithashtu ulje prej 11%, por kjo është më pak në krahasim me gjimnazet.

Kthimi në shkollë këtë vit po vjen mes kontrastesh të forta, nga vrulli demografik që po çon drejt mbylljes shumë shkolla në zonat rurale.

Rënia e numrit të nxënësve ka vënë në sfidë edhe qytetet e mëdha, ku numri i klasave paralele është në rënie vit pas viti.

Rama në mandatin e katërt

Ky urim vjen në kohën kur Edi Rama ndodhet në mandatin e tij të katërt qeverisës, një rekord historik në tranzicionin shqiptar. Megjithatë, gjatë këtyre mandateve vendi po përballet me:

  • emigracion masiv të familjeve të reja,
  • ulje të lindshmërisë,
  • dhe një sistem arsimor që ende vuan nga pabarazitë dhe mungesa e reformave të qëndrueshme.

Kontrasti mes fjalëve dhe realitetit

Ndërsa Rama uroi nxënësit këtë mëngjes, për suksese, shifrat tregojnë një të ardhme të zymtë: klasa gjithnjë e më bosh, fëmijë gjithnjë e më pak, dhe një Shqipëri që po përballet me sfidën e mbijetesës demografike.

Ky vit shkollor hapet me urime, por edhe me pikëpyetje: a do të jetë rruga e dijes e mjaftueshme për të frenuar boshatisjen e shkollave shqiptare?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.