Takim në Nju Jork, Spiropali shtrëngon duart me Gjuriç, ministri serb shmang foton
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë qëndrimit në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë në një takim të Nismës Adriatiko-Joniane.
Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit, Spiropali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një nevojë strategjike për përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
“Përgjatë mëngjesit të sotëm të punës në Nju Jork me homologë dhe partnerë të Nismës Adriatiko-Joniane, theksova se bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës është nevojë strategjike për përshpejtimin e integrimit në BE të rajonit tonë,” shkroi Spiropali, duke ndarë edhe një foto ku shihet teksa shtrëngon duart me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.
Ndryshe nga homologja shqiptare, Gjuriç në postimin e tij në rrjetet sociale përmendi organizatorin e takimit – ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, por nuk publikoi foton me Spiropalin.
“Si një vend që e vendos bashkëpunimin rajonal në qendër të politikës së jashtme, Serbia e sheh Nismën Adriatiko-Joniane si një platformë jetike për forcimin e lidhjes në rajonin tonë dhe ndërtimin e një agjende pozitive në fqinjësi,” shkroi Gjuriç.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



