“Samiti i Arubas”, pse po hesht SPAK-u
Ndërkohë që SHBA ka theksuar në mënyrë të përsëritur rrezikun që paraqet krimi i organizuar në Shqipëri, autoritetet vendase, dhe në veçanti SPAK, duket se nuk po reagojnë siç pritet. Edhe në një deklaratë të fundit, një përfaqësuese e SHBA në një takim me ministren e Brendshme Albana Koçiu, nënvizoi seriozitetin e kësaj çështjeje, duke përsëritur se krimi i organizuar mbetet një kërcënim madhor.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur debati publik është ndezur nga publikimi i detajeve për të ashtuquajturin “Samiti i Arubas”, i cili përshkruhet në librin “Invincibili. La mafia albanese da Roma alla conquista del mondo” nga gazetari investigativ italian, Nello Trocchia. Në këtë libër përmenden emra të njohur nga bota e krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjet e tyre të mundshme me individë pranë qeverisë shqiptare.
Gazeta italiane “Domani” ka publikuar fragmente nga libri, ku përshkruhet një takim i dyshimtë në Karaibe, ku supozohet të kenë marrë pjesë përfaqësues të grupeve kriminale dhe persona të afërt me kryeministrin Edi Rama. Sipas medias italiane, takimi ka ndodhur disa vite më parë dhe ekzistojnë përgjime e prova të tjera në lidhje me këtë rast.
Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e reagimit nga institucionet shqiptare. SPAK nuk ka dhënë asnjë reagim publik dhe nuk dihet nëse është hapur një hetim mbi këto akuza serioze. Kjo heshtje ka ngjallur kritika të forta nga juristë dhe ekspertë të fushës.
Ish-prokurori Gentian Trenova e ka cilësuar situatën si shqetësuese, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare në ndjekjen e kësaj çështjeje.
“Lajmi që ka nxjerrë gazetari italian mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e tablosë së përgjithshme për të cilën bëhet fjalë. Gjithsesi është e çuditshme që ky informacion ka dalë tani. Bëhet fjalë për vitin 2019 dhe nuk kemi informacion të plotë nëse autoritetet e huaja kanë kryer hetime në lidhje me këtë rast, apo në çfarë faze janë hetimet dhe kush janë autoritetet e huaja përveç atyre italiane, nëse ka. Nëse autoritetet amerikane, DEA për shembull, ka bërë hetimet e saj dhe deri në çfarë niveli ato janë”, tha ish-prokurori në një intervistë për Syri TV.
Trenova shton se Shqipëria prej vitesh është përmendur në raportet ndërkombëtare si një vend ku krimi i organizuar bashkëpunon me qeverinë për pastrimin e parave dhe investime të dyshimta.
“Është ideja që në Shqipëri u bënë shumë vite që Shqipëria dhe qeveria shqiptare akuzoheshin dhe nga mediat ndërkombëtare, por edhe nga raporte të huaja të fshehta apo të hapura, publike, që është e qartë që bashkëpunojnë me organizata kriminale në funksion e sjelljes së parave të narkotrafikut dhe pastrimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet investimeve të ndryshme që bëhen në fusha të ndryshme. Kjo është e njohur, flitet çdo ditë, por kjo ngelet vetëm në kuadër fjalësh, por nuk është se autoritetet përgjegjëse kanë bërë hapat e duhur, pra nuk shohim të jenë bërë hapat e duhur, të nevojshëm që kanë detyrimin ligjor, minimum të fillonin hetimet. SPAK do të ishte mirë t’i jepte një informacion publikut nëse për ngjarjen në fjalë ka të dhëna të tilla për të filluar një hetim, minimum një njoftim”, u shpreh Trenova.
Sipas tij, nëse SPAK nuk reagon, rrezikon të dështojë në misionin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare që ka marrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



