E premte, 16 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vdekja e kenianes në Tiranë, celulari i Joy Ayoko në duart e SPAK
Flash

Vdekja e kenianes në Tiranë, celulari i Joy Ayoko në duart e SPAK

Me shpresën për të zbardhur misterin dhe rrethanat e vdekjes së shtetases keniane Joy Ayoko, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të ndërmarrë hapa të tjerë teknikë, duke kërkuar ndihmën e ekspertëve të posaçëm për analizën e dy telefonave të saj. Vajza kishte ardhur nga Kenia për të punuar në një kazino pranë zonës së Stadiumit “Air Albania”.

Sipas Syri.net, dy telefonat e Ayokos janë sekuestruar që në gusht të vitit 2022, por përpjekjet për të nxjerrë informacion nga to kanë rezultuar të pamjaftueshme deri më tani. Laboratori kibernetik i Policisë së Shtetit nuk ka arritur të sigurojë të dhëna domethënëse nga aparatet.

Sipas gazetarit Elton Qyno, për shkak të kufizimeve teknike të laboratorëve vendas, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila disponon teknologji më të avancuar. SPAK ka në dispozicion programe të sofistikuara të analizës dixhitale falë bashkëpunimit me dy kompani lider në këtë fushë: “Cellebrite DI Ltd” me seli në Izrael dhe “INsig2 d.o.o” nga Zagrebi, të cilat operojnë me standarde të larta ndërkombëtare.

Sipas Syri.net, aktualisht po i nënshtrohet ekspertizës vetëm njëri prej telefonave, pasi tjetri, që ka qenë i thyer në momentin e sekuestrimit, është cilësuar i paekzaminueshëm nga ekspertët e SPAK. Hetuesit shpresojnë të rikuperojnë të gjithë memorien e pajisjes funksionale, që nga ndezja e parë deri në momentet e fundit të përdorimit nga Joy Ayoko.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës është ende në pritje të aktit të autopsisë dhe diagnozës së vdekjes nga spitali në Kenia. Ky informacion pritet të ndihmojë në ndërtimin e një skenari të mundshëm të ngjarjeve që çuan në vdekjen e saj më 13 gusht 2022.

Sipas hetimeve, Joy Ayoko dyshohet se është rrëzuar ose hedhur nga dritarja e katit të tretë të pallatit ku banonte, duke përfunduar në pjesën e pasme të godinës. Mbrëmjen e ngjarjes, ajo ishte vetëm në banesë. Policia gjeti në dhomën e saj një tas me pilaf mbi krevat dhe dy telefonat, njëri prej të cilëve ishte i dëmtuar rëndë.

Hetimet u nisën zyrtarisht më 15 gusht 2022, kur Policia e Shtetit i referoi materialet në Prokurorinë e Tiranës. Por sipas Syri.net, shumë nga procedurat hetimore nuk janë kryer në kohë gjatë muajit gusht, duke bërë që hetimi të ngadalësohet ndjeshëm. Prokuroria e Tiranës duket se ka “mbetur në klasë” për këtë çështje të ndjeshme.

Aktualisht, po hetohen tre pista kryesore, ndër të cilat më të theksuarat janë “vetëvrasja” dhe “shkaktimi i vetëvrasjes”. Edhe pse janë marrë në pyetje disa persona dhe janë kryer kontrolle në disa banesa, hetimi nuk ka sjellë ende një rezultat konkret.

Joy Ayoko ndodhej në Shqipëri si pjesë e stafit të “Arena Kazino”, e cila menaxhohet nga biznesmeni Bledar Sinanaj./syri

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.