Berisha zyrtarizon kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës
Aktori i njohur Florjan Binaj do të jetë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Lajmi u bë i ditur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat nga selia blu.
Berisha u shpreh se Binaj përfaqëson një figurë publike që ka mbrojtur në vazhdimësi kauzat qytetare dhe është një zë i fuqishëm për qytetarët.
“Ftoj aleatët dhe opozitarët, qytetarët, të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”, – deklaroi Berisha.
Ai tha gjithashtu se kandidatura e Binajt është përzgjedhur pas një procesi ku janë shqyrtuar emra të ndryshëm nga brenda dhe jashtë vendit.
“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD, duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, – tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



