Kryetari i partisë opozitare “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u përzgjodh Florian Binaj si kandidat për Bashkinë e Tiranës nga Partia Demokratike.
Në një deklaratë për shtyp, Shehaj sqaroi se partia që ai drejton nuk e mbështet këtë proces përzgjedhjeje, duke e quajtur të njëanshëm dhe jo të bazuar në asnjë kriter objektiv.
“Qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur. Mënyra më e mirë është realizmi i sondazhit,” tha Shehaj.
“Si mund të merret ky vendim? Si mund të shkojmë në zgjedhje pa ditur kush është kandidati më i mirë? Kjo është e papranueshme.”
Shehaj mohoi të ketë pasur kontakte me Sali Berishën para se të shpallej zyrtarisht kandidatura e Binajt nga PD. Ai e quajti të pakuptimtë çdo komunikim pas faktit të kryer:
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Berishën. Është kërkuar pasi është shpallur kandidati. E merrni me mend vetë, sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat.”
Sipas tij, përpjekjet për të gjetur një kandidat të përbashkët opozitar kanë përfunduar në momentin që PD shpalli kandidaturën e Binajt, pa përfshirë faktorë të tjerë opozitarë në proces.
“Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Përpjekjet tona për të dalë me një kandidat të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaruan në momentin kur kryetari i PD shpalli një kandidaturë të vetme. Tani nuk ka kuptim të diskutojmë më,” u shpreh ai.
Shehaj këmbënguli se nuk e kishte pasur qëllim të diktonte emra, por të kishte një proces real, transparent dhe të besueshëm, siç ndodh në vendet demokratike perëndimore:
“Nuk na interesonte emri. Na interesonte që të kishim një proces, për të gjetur kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë: të bësh një sondazh. Vetëm nëpërmjet sondazhit je i sigurt që kandidati që po nxjerr është më i miri. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje.”







