E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
IUTE, Kredo, NOA, Fondi BESA & Co, miliona € zhvatje shqiptarëve
Denoncime

IUTE, Kredo, NOA, Fondi BESA & Co, miliona € zhvatje shqiptarëve

Institucionet financiare jobanka kanë shënuar sërish fitime marramendëse, ndërsa mijëra familje shqiptare përballen çdo ditë me pasojat e kredive të vogla dhe interesave të frikshme.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, këto institucione kanë përfunduar gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 me një fitim neto prej 3 miliardë lekësh, ose rreth 30 milionë euro.

Në këtë kategori përfshihen kompani të mikrokredisë, kredidhënies, qirasë financiare, faktoringut dhe blerjes së kredive me probleme, ndërmarrje që kanë ndërtuar një perandori fitimesh përmes kreditimit agresiv të shtresave më të varfra, të cilët për arsye të ndryshme shmangin sistemin bankar tradicional.

61% e portofolit të tyre të kredisë i përket individëve, pra qytetarëve të zakonshëm që marrin hua për konsum bazë, shëndet, apo përballim të detyrimeve urgjente.

Pikërisht aty qëndron thelbi i problemit: këto kredi, që shpesh ofrohen me kushte të paqarta dhe norma interesi që kalojnë çdo kufi etik, kanë futur në spirale borxhesh qindra familje, duke çuar disa prej tyre drejt humbjeve të rënda financiare e madje tragjedive, si rasti i njohur i Pal Trashajt.

Ndërkohë që fitimet e këtyre kompanive rriten, edhe numri i familjeve të falimentuara apo që përballen me sekuestrime po shtohet. Kompanitë si Iute Credit, Kredo.al, NOA Finance, Fondi BESA dhe të tjera, dominojnë tregun e mikrofinancës në Shqipëri, duke krijuar një sistem ku fitimi vjen nga paaftësia e qytetarëve për të paguar.

Në letër, Banka e Shqipërisë raporton se cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar lehtë, me raportin e kredive me probleme që ka zbritur në 12%,  por realiteti në terren tregon tjetër histori: shumë prej kredive “të shlyera” kalojnë përmes kontratave të rinegociuara me kushte të reja, që vetëm e zgjasin borxhin dhe shtojnë barrën e interesave.

Pavarësisht ndërhyrjeve rregullatore të fundit që kufizojnë numrin e kredive për një individ dhe vendosin tavane të raportit të borxhit ndaj të ardhurave, mekanizmi i fitimit mbetet i njëjtë: norma të larta interesi, komisione të fshehura dhe ndëshkime për vonesa minimale.

Në një treg ku përfitimi i kompanive arrin dhjetëra milionë euro në gjashtë muaj, ligji ende nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për qytetarët, ndërsa qindra prej tyre vijojnë të humbin kursimet, pronat dhe shpesh, dinjitetin. Shqipëria mbetet kështu ndër vendet e pakta në Europë ku mikrokredia, në vend që të ndihmojë njerëzit në nevojë, është kthyer në një biznes fitimprurës mbi varfërinë. /Skyweb

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.