Vrasja e gjyqtarit, sekretarja e Apelit rrëfen momentet dramatike
Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda ambienteve të gjykatës, ka tronditur thellë sistemin e drejtësisë në vend. Ngjarja ndodhi në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit, në momentin kur sapo ishte shpallur vendimi gjyqësor.
Dëshmia e sekretares së gjyqit
Sekretarja e seancës, e pranishme në sallë në momentin e krimit, rrëfeu para hetuesve skenën e rëndë:
“Sapo shpalli vendimin, gjyqtari u ngrit dhe u kthye në krahun e djathtë për të shkuar në dhomën e këshillimit. Në atë moment, Elvis Shkambi u afrua përpara podiumit dhe e qëlloi me armë. Unë u ngrita në këmbë dhe vendosa duart në kraharor. Ai u kthye nga unë dhe më tha: ‘Nuk kam gjë me ty!’ Më pas qëlloi sërish drejt gjyqtarit.”
Ajo tregoi se tentoi ta ndihmonte gjyqtarin Kalaja, duke shtypur plagën me një peshqir, por ai nuk dha shenja jete.
Autori dhe motivi i dyshuar
Autori i dyshuar, 30-vjeçari Elvis Shkambi, pas kryerjes së krimit, u largua me qetësi nga salla. Ai e dorëzoi armën tek nëpunësi gjyqësor Bledar Panariti, i cili dëshmoi:
“Ndodhesha në sallën nr. 4 në pritje të shpalljes së një vendimi, kur dëgjova disa të shtëna që dukej se vinin nga ambientet e brendshme. Pashë njerëz që dilnin me panik nga salla nr. 3. Më pas, një person me shtat të shkurtër, rreth moshës 45–50 vjeç, më afroi dhe më la në dorë një pistoletë. E futa instinktivisht në xhep dhe u largova për të kërkuar ndihmë.”
Panariti tregon gjithashtu se u ndalua nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por pas verifikimit të identitetit të tij si punonjës i gjykatës, situata u qetësua.
Sipas deklarimeve paraprake, Elvis Shkambi ka justifikuar veprimin e tij duke pretenduar se ka ndjerë “urrejtje të madhe” për një vendim të padrejtë që gjyqtari Kalaja kishte marrë ndaj tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



