Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Apeli nxjerr nga qelia rojen e arrestuar
Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Koxhaj nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Banush Koxhaj, punonjës sigurie në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndodhej në sallën e gjyqit ditën kur u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja.
Gazetari Elton Qyno raporton se shkak i zbutjes së masës së sigurisë për Banush Koxhaj ka qenë gjendja e tij e rënduar shëndetësore, pasi ai vuan prej kohësh nga diabeti.
Sipas hetimeve, Koxhaj nuk ka ushtruar kontroll fizik ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët hynë të armatosur në sallën e gjyqit. Megjithëse detektori i skanerit të gjykatës sinjalizoi prezencën e sendeve metalike, punonjësi i sigurisë qëndroi i ulur dhe nuk ndërhyri, duke lejuar që Elvis Shkambi të kalonte perimetrin e sigurisë.
Në momentin që gjyqtari Kalaja dha vendimin, Shkambi qëlloi drejt tij me një pistoletë prodhim gjerman, “Welt Waffen Broëning”, duke e lënë të vdekur në vend. Me të njëjtën armë, Shkambi plagosi edhe babën dhe birin, Ragip dhe Elvis Kurtaj, të cilët ndodheshin në gjyq. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se një plumb i vetëm kishte plagosur babë e bir.
Dy të dyshuarit, Elvis dhe Gjon Shkambi, vijojnë të mbahen në burg, nën akuzën për “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj gjyqtarit” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



