Prej 2 javësh në reanimacion, si paraqitet gjendja e Fatos Nanos
Prej dy javësh, ish-kryeministri dhe një prej figurave më të njohura të tranzicionit shqiptar, Fatos Nano, ndodhet i shtruar në një spital privat në kryeqytet. Gjendja e tij shëndetësore raportohet si serioze, pas një arresti kardiorespirator që ka përkeqësuar ndjeshëm situatën.
Nano, 73 vjeç, vuante prej kohësh nga një sëmundje kronike të aparatit të frymëmarrjes, e njohur si SPOK. Problemet me mushkëritë janë përshkallëzuar ditët e fundit, duke e detyruar stafin mjekësor të mbajë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjendjen e tij. Mësohet se deri më tani nuk ka shenja përmirësimi.
Fatos Nano është një nga emrat më me ndikim në historinë politike të pas ’90-ës. Ai udhëhoqi Partinë Socialiste që në themelimin e saj, duke marrë drejtimin e forcës politike që pasoi Partinë e Punës dhe duke e transformuar në një subjekt të qendrës së majtë me ndikim të madh në jetën politike të vendit.
Gjatë karrierës së tij, Nano ka mbajtur postin e kryeministrit në disa periudha dhe për një kohë të gjatë ka qenë figurë kyçe në vendimmarrjen politike. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, u tërhoq nga drejtimi i PS dhe më pas edhe nga jeta aktive politike. Më vonë, ai kërkoi të rikthehej në skenën publike përmes një kandidature për postin e Presidentit, por nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Ndërkohë, familja nuk ka bërë ende një deklaratë publike për situatën, por mësohet se ish-kryeministri po trajtohet me kujdes të veçantë nga mjekët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



