Ngrihen Komisionet për ‘Zgjedhoren’ dhe ‘Territorialen’
Arrihet konsensusi PD-PS në Kuvend
Kuvendi ka miratuar sot ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Në nisje të seancës, deputetët votuan me shumicë të madhe: për Komisionin Zgjedhor, 113 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa për Komisionin Territorial votuan 115 deputetë pro, 3 kundër dhe zero abstenime.
Deputetët që shprehën kundërshtimin për Komisionin Territorial ishin Agron Shehaj dhe Erald Kapri nga partia “Mundësia”, si dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë.
Votimi pason dakordësinë mes palëve për përfaqësimin e barabartë dhe emërimin e bashkëkryetarëve. Komisioni për Reformën Zgjedhore do të përfshijë përfaqësues nga të gjitha partitë e Kuvendit: 7 anëtarë nga PS, 5 nga PD, dhe nga 1 nga PSD, Partia Republikane, Partia e Lirisë dhe Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të dërgojnë deputetë për diskutime dhe propozime, pa të drejtë vote.
Sa i përket Komisionit Territorial, ai do të ketë 8 anëtarë nga PS, 6 nga PD, 1 nga Partia e Lirisë dhe 1 nga grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” e Fatmir Mediut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



