A mundet që “Diella” ta çojë vendin drejt anëtarësimit në BE?
Prezantimi i “Diellës”, ministres së parë virtuale në historinë e qeverisjes shqiptare, ka ngjallur interes jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Rrjeti televiziv “Euronews” i ka kushtuar një artikull të gjatë këtij eksperimenti unik, duke ngritur një pyetje që shkon përtej inovacionit, a mund të jetë inteligjenca artificiale çelësi i integrimit evropian të Shqipërisë?
Sipas rrjetit europian të lajmeve, qeveria shqiptare po i beson teknologjisë për të shpejtuar proceset e reformave dhe për të rritur transparencën në administratë. Kryeministri Edi Rama e ka prezantuar “Diellën” si një “ministre inteligjente” që do të ndihmojë në reformimin e prokurimeve publike dhe në luftën kundër korrupsionit, një plagë që Brukseli e ka theksuar vazhdimisht si pengesë kryesore në rrugën drejt BE-së.
Rama ka deklaruar se Diella do të shërbejë si garant për “një sistem tenderash 100% të pastër nga korrupsioni”, ndërsa vetë emri i saj, që simbolizon dritën dhe transparencën, u mendua si një metaforë për një qeverisje më të hapur dhe të drejtë.
Por ndërsa Tirana flet për një hap gjigant drejt së ardhmes, Brukseli dhe ekspertët e sigurisë dixhitale flasin për pyetje që mbeten pa përgjigje.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, e cilëson këtë nismë si “një sinjal të fortë për investitorët e huaj”, që shohin përpjekje të reja për procese të ndershme dhe të përgjegjshme. Sipas tij, reformat dixhitale dhe përdorimi i teknologjisë janë bërë një instrument i rëndësishëm për afrimin me standardet evropiane.
Megjithatë, në sfond, po hapet një debat serioz për sovranitetin digjital dhe sigurinë kombëtare. Ekspertë të teknologjisë në Europë paralajmërojnë se përdorimi i modeleve të huaja të inteligjencës artificiale, si ato të zhvilluara nga OpenAI dhe të hostuara në Microsoft Azure, mund të krijojë rreziqe për të dhënat publike dhe mundësi ndërhyrjesh të jashtme.
“Çdo algoritëm është produkt i një konteksti social e politik. Nëse një shtet europian përdor një platformë amerikane për funksione qeveritare, lindin pyetje legjitime për aksesin që mund të ketë qeveria amerikane mbi të dhënat,” – shpjegon Clotilde Bomont, analiste në Institutin e Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS).
Përveç rreziqeve të mundshme të sigurisë, “Diella” po shihet edhe si një eksperiment që do të testojë besimin e qytetarëve tek inteligjenca artificiale. Sa reale është ideja që një algoritëm mund të garantojë ndershmëri aty ku për vite me radhë ka dështuar njeriu? A mund të ndërtojë një “AI ministre” kulturën e transparencës që politika shqiptare nuk e ka arritur ende?
Pavarësisht skepticizmit, fakti që një vend i vogël si Shqipëria po eksperimenton me teknologjinë në nivele kaq të larta qeverisëse është cilësuar si hap i guximshëm dhe simbolikisht europian.
Nëse kjo do të jetë një reformë që sjell rezultate, apo një tjetër flluskë propagandistike në emër të digjitalizimit, do ta tregojë koha.
Por një gjë është e sigurt, “Diella” ka ndezur dritën e debatit mbi të ardhmen e marrëdhënies mes njeriut, pushtetit dhe algoritmit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




