E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe nxjerr dokumentin: Tatimet bëjnë të fortin me më të dobëtit
Lajme

Braçe nxjerr dokumentin: Tatimet bëjnë të fortin me më të dobëtit

Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024, duke ndalur vëmendjen te disa prej rasteve më domethënëse që, sipas tij, tregojnë abuzimet dhe sjelljet arbitrare të institucioneve si Doganat dhe Tatimet.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Braçe solli si shembull një rast që e cilësoi “absurd”: një biznes i vogël në periferi të Tiranës ishte gjobitur nga Tatimet me 8.2 milionë lekë të vjetra (rreth 822 mijë të reja) vetëm për 15 kilogramë gjizë pa faturë tatimore.

“Në momentin e kontrollit, inspektorët kanë konstatuar se për 15 kilogramë gjizë, me vlerë 229 lekë për kilogram, nuk ishte lëshuar faturë tatimore. Dhe për këtë arsye, është vendosur një gjobë prej 822 mijë lekësh. Po flasim për një produkt ushqimor bazë, për disa kilogramë gjizë! Kjo është qasje abuzive, që tregon si sillen të fortët me të dobëtin”, tha Braçe, duke lexuar dokumentin zyrtar të raportit të KLSH-së.

Sipas tij, raporti evidenton problematika serioze, që nga favorizimi i bizneseve të mëdha e klienteliste deri te rritja e borxhit tatimor dhe shmangia nga sistemet elektronike të kontrollit nga vetë inspektorët.

“KLSH thekson se në Doganë dhe në Tatime vazhdon klientelizmi, që dëmton konkurrencën dhe nxit evazionin. Ndërkohë, shqetësuese është se disa inspektorë dalin jashtë sistemit elektronik të monitorimit, si kamerat dhe GPS. Kjo është shenjë abuzimi”, shtoi ai.

Braçe iu përgjigj gjithashtu edhe akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, i cili kishte pretenduar se sipas raportit të KLSH-së ishin “vjedhur 900 milionë euro në nëntë muaj”. Deputeti socialist e cilësoi këtë deklaratë si “gënjeshtër patologjike”.

“KLSH është institucioni më i lartë i auditit, punon mbi fakte, jo mbi thashetheme. Në asnjë pjesë të raportit nuk përmendet shifra 900 milionë euro. Kjo është një gënjeshtër që përhapet për sensacion. Po të ishte e vërtetë, SPAK do ta kishte marrë në hetim. Asnjë dosje e konstatuar nga KLSH nuk është refuzuar për hetim”, deklaroi Braçe.

Deputeti theksoi se raportet e KLSH-së duhet të shërbejnë për përmirësimin e punës së administratës publike dhe për shmangien e abuzimeve, jo për manipulim politik të opinionit publik.

erion brace kuvend

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.