EMRAT/ Rrëmbyen dhe dhunuan të riun, arrestohen 2 vajzat
Ishin shpallur në kërkim
Një histori që duket sikur është marrë nga një film aksioni ka ndodhur në Tiranë, ku dy vajza dhe katër djem u përfshinë në pengmarrjen dhe dhunimin e një 27-vjeçari, për t’i marrë para.
Policia ka vënë në pranga 21-vjeçaren Monika Marku dhe 25-vjeçaren Suate Çeloaliaj, ndërsa më herët janë arrestuar Lusjan Kimza, Asmireld Nimani dhe Agustin Kimza. Në kërkim vijon të jetë Klajdi Limani.
Sipas njoftimit zyrtar, vajzat kishin bashkëpunuar me të arrestuarit për t’i hequr lirinë të riut për disa orë dhe për ta detyruar të jepte para, pas një konflikti të nisur nga xhelozia dhe hakmarrja.
Kurthi: “Dalja për kafe” që përfundoi në tualet me pengmarrësit
Hetimet kanë zbuluar se Suate Çeloaliaj kishte qenë në lidhje dashurie me 27-vjeçarin, por edhe me një prej autorëve, Lusjan Kimza, i cili dyshohet si ideatori i pengmarrjes.
Pasi ai kishte zbuluar se e dashura e tij komunikonte me viktimën, vendosi ta ndëshkonte, duke e futur në një skemë presioni për para.
Në plan u përfshi edhe Monika Marku, e cila ftoi 27-vjeçarin për kafe dhe më pas e çoi në një apartament të marrë me qira në Airbnb. Sapo u ulën, nga tualeti dolën tre djemtë e tjerë, të cilët e rrahën brutalisht dhe i kërkuan 5 mijë euro.
I riu u mbajt peng për disa orë, më pas u lirua për të sjellë paratë në shtëpi, të cilat ua dorëzoi autorëve. Por shantazhi nuk përfundoi aty – grupi kërkoi edhe 5 mijë euro të tjera, duke e kërcënuar vazhdimisht.
Operacioni “Kufizimi” dhe arrestimet
Ngjarja u zbardh pas denoncimit të 27-vjeçarit, i cili u paraqit në spital për shkak të dëmtimeve fizike. Mjekët njoftuan policinë, e cila organizoi një operacion të koduar “Kufizimi”.
Brenda pak ditësh u arrestuan tre persona dhe më pas edhe dy vajzat që ishin shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia po vijon punën për kapjen e Klajdi Limanit, i cili fshihet prej ditësh.
Akuzat dhe procedurat
Të arrestuarat do të përballen me akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Dhunë” dhe “Shantazh për përfitim pasuror”.
Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



