Fatos Nano vuajti dënimin aty, mbyllet burgu i Bënçës në Tepelenë
100 punonjës mbeten të papunë
Burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, duke shkaktuar një krizë të thellë sociale dhe ekonomike në zonë. Sipas burimeve pranë institucionit, rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen, pasi nuk kanë mundur të përballojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% e mbetur vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej tre muajsh.
Mbyllja e burgut ka goditur rëndë Tepelenën, ku rreth 100 punonjës kanë mbetur papunë në një zonë me mundësi të kufizuara punësimi. Banorët e konsiderojnë vendimin si një “goditje të dyfishtë”, duke qenë se shumë familje varen ekonomikisht nga pagat e këtij institucioni për dekada me radhë.
Urdhri zyrtar për mbylljen e burgut ka mbërritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve, gjë që ka nxitur debate dhe pakënaqësi në komunitet. Shumë punonjës dhe banorë e cilësojnë vendimin të papritur dhe të paqartë, duke kërkuar nga institucionet qendrore zgjidhje për familjet e prekura.
Aktualisht po kryhen procedurat e dorëzimit të institucionit dhe transferimit të të dënuarve, por nuk ka ende informacion zyrtar mbi destinacionin e godinës pas mbylljes, as mbi mundësitë e reja të punësimit për personelin e mbetur pa punë. Ky vendim vjen në një periudhë kur zona përballet me papunësi të lartë dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve.
Burgu i Bënçës, një institucion me histori mbi 60-vjeçare
I ndërtuar në vitet 1960 me një kapacitet prej rreth 70 të dënuarish, Burgu i Bënçës ka funksionuar për dekada si një nga institucionet më të rëndësishme penitenciare në jug të Shqipërisë. Gjatë historisë së tij, ka mbajtur të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe ka shërbyer si repart i sigurisë dhe si burg “rezervë” i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Burgu ka qenë një punëdhënës i rëndësishëm për Tepelenën dhe fshatrat përreth, duke ofruar vende pune për dhjetëra familje. Ndër të dënuarit e njohur që kanë vuajtur dënimin aty është edhe ish-kryeministri dhe ish-kreu i PS, Fatos Nano.
Mbyllja e burgut shënon një kapitull të ri për zonën, ndërsa komuniteti shpreh shqetësim mbi pasojat sociale dhe ekonomike që mund të sjellë ky vendim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



