E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Liria në optikën e një gruaje!
Lajme

Liria në optikën e një gruaje!

Rubrika: Mësimet e një nëne!

Irena Beqiraj | Opinion | Publik.al

Bija ime, sot po të shkruaj për lirinë . Jo për lirinë e negocueshme në oraret e daljeve të premteve mbrëma, apo në udhëtimet me shoqërinë, por për lirinë që është vlera e vlerave; lirinë që vjen para çdo gjëje tjetër, sepse është gjendja në të cilën ti mund të zgjedhësh dhe të zhvillosh të gjitha virtytet e tjera.

Unë ndryshe nga ty u rrita e rrethuar nga kufij që ishin më shumë sesa fizikë. Ato ishin të endura në pëlhurën e jetës së përditshme, rregulla që diktonin se si flisnim, si visheshim, çfarë lexonim dhe çfarë besonim. Çdo veprim mbante peshën e mbikëqyrjes. Dhe kështu, bëra të vetmen gjë që një vajzë e re mund të bënte: Ëndërroja. Ëndërroja të ecja pa frikë, të flisja pa llogaritje, të ekzistoja pa kërkuar falje. Rebelimet e mia të para jetonin tërësisht në imagjinatë.
Por edhe ëndrrat mund të bëhen forma të izolimit. Sa më shumë e imagjinoja lirinë si diçka që më priste në një të ardhme të largët, aq më e pafuqishme ndihesha në të tashmen. Teksa endërroja që bota të ndryshonte, qëndroja pezull. Ky besim kishte krijuar një kafaz të vetin. Bota kishte ndërtuar shumë mure rreth meje dhe disa prej tyre tashmë kishin zënë rrënjë brenda meje.
Teksa jetova midis dy regjimeve , midis dy botëve , asaj të blinduar me korniza edhe asaj asaj pa asnjë kufizim kuptova se liria nuk vjen si një ngjarje e papritur e dhuruar nga mosha apo rrethanat. Ajo fillon si një vendim, një akt i qetë dhe i vendosur i vullnetit. Ajo merr formë brenda vetes përpara se të marrë formë përreth teje .
Kuptova gjithashtu se askush nga ne nuk kishte lindur me meritën e lirisë edhe se ajo është pesha më e rëndë, mbi supet e njeriut, aq më shumë të një gruaje.
Liria nuk duhet keqkuptuar . Liria nuk të lejon të kesh gjithçka që dëshiron , përkundrazi është forca për të refuzuar atë që të dobëson. Liria është disiplinë; është mosdorëzimi ndaj çdo mundësie thjesht sepse ajo paraqitet; Është refuzimi për të lejuar që pakënaqësia të zënë vend në shpirt sikur të ishtë qiramarrës të ligjshëm:
Liria është ekspozim, ndaj pasojave edhe pasigurisë ndaj kërkon force për t’u përballur me pasigurinë pa u dridhur; është aftësia për të dalluar se shumë ngjarje , kariera, zgjedhje premtojnë përmbushje, por në fakt vetëm shterojnë shpirtin, është zotësia për të mbetur e paprekur nga erërat kalimtare të lavdërimit ose kritikës;
Është zbulimi se ekzistenca jote si grua nuk kërkon zbukurime, se thjeshtësia nuk varfëron, por pasuron; Është besimi se vlera jote nuk varet nga rezultatet, statusi apo miratimi, sepse asnjë status, arritje , pozicion, apo famë nuk mund të çlirojë një mendje të burgosur nga frika, një zemër të lidhur me zinxhirë faji ose një shpirt të rënduar nga pakënaqësia.

Ndershmëria me veten rrallë është e rehatshme, por liria e vërtetë arrihet kur ndalon së pretenduari atë që nuk je . Liria është guximi për të çmontuar narrativat edhe imazhet e rreme që ndërtojmë për veten, të tjerët dhe botën.
Liria ngatërrohet shumë lehtë me gjithçka ajo nuk është nga njerëzit që nuk e njohin atë . Nga kafazi çdo fluturim duket herezi, arrogancë, sëmundje .
Por edhe pse e keqkuptuar shpesh edhe e keqgjykuar një grua e lirë nuk i largohet botës, por e përballon atë sipas kushteve të veta – me qetësi, qartësi dhe integritet.

Ndaj liria nuk është e drejtë por meritë !

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.