Murrizi shpërthen ndaj Nokës: S’ju ka votuar kush në 4 palë zgjedhje
“Ngadalë Flamur, je bërë deputet pa u votuar nga qytetarët”
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar ashpër ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, duke e akuzuar për sjellje autoritare dhe servilizëm brenda strukturave të PD-së.
Në një postim të gjatë, Murrizi i kujton Nokës se demokratët nuk janë vartës të tij, por idealistë që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për çdo betejë të PD-së gjatë 35 viteve të saj. “Ti paguhesh Flamur prej vitit 2005 nga kontributi dhe sakrifica e tyre”, shkruan ish-deputeti, duke shtuar se heshtja dhe servilizmi kanë sjellë PD-në në 12 vite opozitë.
Murrizi kritikon ashpër përdorimin e listave dhe kodin zgjedhor që sipas tij kanë privuar qytetarët nga e drejta për të votuar drejtpërdrejt deputetët. Ai thekson se çdo demokrat ka ardhur në parti për bindjet, programin dhe idealizmin e tij, jo për të miratuar urdhra autoritarë.
“PD e demton jashtë mase sjellja jote Flamur dhe e atij rrethi të ngushtë rreth teje dhe Berishës, që nuk ju ka votuar askush në katër palë zgjedhje. Nuk keni të drejtë të vendosni për jetën e kujtdo brenda partisë,” përfundon Murrizi, duke i bërë thirrje për qetësi dhe respekt për demokratët.
Ky reagim vjen në një moment kur tensionet brenda PD-së janë shtuar pas përplasjeve në degët lokale dhe debateve për mënyrën e menaxhimit të partisë nga drejtuesit aktualë.
Reagimi i plotë:
Pak më ngadalë, Flamur.
Freno, nëse nuk ke djegur komplet ferrat, se nuk të kanë faj demokratët. Që prej vitit 2013 je bërë deputet pa u votuar nga qytetarët, duke u futur me lista sipas kodit zgjedhor bastard të bylykbashizuar.
Anëtarët e PD-së nuk janë as vartës tuaj e as të paguar, por janë idealistë, kurajozë dhe njerëz që kanë sakrifikuar plot mundim nga vetja për çdo betejë që ka bërë PD-ja në 35 vite. Ti paguhesh, Flamur, prej vitit 2005 nga kontributi dhe sakrifica e tyre.
Lëri të flasin, Flamur, mos u bëj si Muho Asllani apo Hekuran Isai. PD-ja është krijuar nga njerëz të lirë, me dinjitet dhe plot kurajo, në dhjetor 1990, dhe ekziston falë tyre. Nga heshtja dhe servilizmi kemi 12 vite në opozitë, dhe sot jemi në ditët më të vështira të 35 viteve të ekzistencës, jo për shkak të debatit dhe mendimit ndryshe.
Qetësohu, Flamur, se në PD secili ka ardhur për bindjet, programin, idealizmin dhe shpresën për një qeverisje më të mirë se e funderrinave që qeverisin sot dhe që kanë masakruar këtë popull për 45 vite komunizëm, jo pse je ti sot sekretar apo pse është Berisha kryetar, apo Gazi me Gjekmarkajn dhe Bylykbashin nënkryetar.
Nuk i bën asnjë dëm PD-së kjo zonjë e nderuar, dhe çdo zë i tillë që buron nga shpirti rebel i çdo demokrati në çdo cep të Shqipërisë. PD-ja e demton jashtë mase sjellja jote, Flamur, dhe e atij rrethi të ngushtë butakesh rreth teje dhe Berishës, që nuk ju ka votuar askush në katër palë zgjedhje. Ju ngrini sikur keni në dorë jetën e kujtdo që mendoni se është vartës i juaji, vetëm pse është anëtar i PD-së apo opozitar me Ramën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



