Grida Duma: PD po fundoset! Lidershipi fal veten, përjashton bazën
Ish-deputetja shprërthen ndaj Berishës dhe Nokës
Moderatorja dhe ish-deputetja, Grida Duma, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit të ndodhura brenda Partisë Demokratike, duke komentuar qëndrimin e lidershipit opozitar pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit, si edhe debatin e disa javëve më parë mes sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, dhe një anëtareje të degës së Kamzës.
Sipas Dumës, lidershipi demokrat tregon standarde të dyfishta në mënyrën se si trajton gabimet: deputetët që firmosën për kandidaturën e Endri Shabanit falen, ndërsa anëtarësia ndëshkohet, sidomos kur përfshihet në debate që bëhen publike dhe ku është i përfshirë sekretari i Përgjithshëm i partisë.
Ajo sjell në vëmendje deklaratat kontradiktore të drejtuesve të PD-së lidhur me firmat për Endri Shabanin. “Del Sali Berisha dhe thotë se firmat iu dhanë Endri Shabanit sepse ai kishte mbështetur Florian Binajn. Më pas, Sajmir Korreshi deklaron se Flamur Noka u kishte thënë deputetëve të firmosnin të gjithë, me arsyetimin se çështja do të rregullohej në momentin e votimit”, shprehet Duma.
Më tej, ajo përmend edhe një deklaratë të Flamur Nokës, i cili në studion e “Top Story” i është drejtuar Gon Dukës duke i thënë që t’i shpjegonte një anëtareje se “nuk janë në ditë të mira” dhe se 28 firmat “nuk janë të tyret”, por ishin marrë “pa dashje” nga Salianji. Pas kësaj, sipas Dumës, del Sali Berisha dhe e mbyll çështjen duke thënë se “bëjmë edhe ne gabime”.
“Po si shpjegohet që gabimet e kreut janë gjithmonë të falshme, ndërsa gabimet e anëtarësisë nuk falen kurrë?”, pyet Duma, duke iu referuar edhe incidentit në Kamëz, ku Flamur Noka dhe një tjetër anëtar i kryesisë u përplasën verbalmente me një anëtare të PD-së, e cila kërkonte respektimin e statutit.
Ajo e cilëson të papranueshme mënyrën se si një anëtare me 13 vite në opozitë trajtohet nga drejtuesit e partisë, duke theksuar se drejtuesit sillen ndryshe kur kanë nevojë për votën e anëtarësisë dhe ndryshe pasi e marrin atë. “Shkojnë si servilë kur duan votën dhe më pas i thonë ‘dil jashtë’ një gruaje që ka 13 vite në opozitë”, thekson Duma.
Në vijim, ajo shprehet se Partia Demokratike ka “aksionerë” dhe tashmë po bëhet e qartë se kush janë ata. Duma kritikon faktin që Berisha doli në mbrojtje të Flamur Nokës, duke e cilësuar të gabuar daljen e videos nga mbledhja, por duke fajësuar anëtaren që foli në media. “Ajo u nxor nga grupi i WhatsApp-it, nuk i takon dot askujt dhe i ka mbetur vetëm mikrofoni për të thënë fjalën e saj”, shton ajo.
Duke bërë një krahasim me të shkuarën, Duma kujton se demokratët ia falën Berishës gabimin e zgjedhjes së Lulzim Bashës, pasi ai vetë e pranoi si gabim. “Ia falën demokratët, por pse Berisha nuk i fal ata që ishin me Lulin dhe vazhdon ta përçajë partinë?”, pyet ajo, duke nënvizuar ndarjen mes mënyrës se si trajtohen gabimet e lidershipit dhe ato të bazës.
Duma ndalet edhe te largimi i saj nga Partia Demokratike, duke sqaruar se nuk e la mandatin sepse ishte “keq”, por në fillim të nëntorit 2022, pasi në mes të tetorit Berisha e kishte etiketuar publikisht si “Nora e Kelmendit”. Sipas saj, kjo ndodhi pasi ajo foli në Parlament kundër Edi Ramës, në një moment kur, sipas saj, burrat e PD-së që duhej të flisnin, mungonin.
“Nuk është normale që lidershipi të falet pa fund dhe në momentet e hallit, një të premte, të më përmendin mua vetëm sepse janë në një paqartësi absolute dhe po pësojnë humbje politike nga të gjitha anët”, shprehet Duma.
Tensionet brenda PD-së u shtuan pas zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit, proces i cili u bë i mundur falë firmave të deputetëve demokratë dhe votave të mazhorancës socialiste. Pas votimit, PD zhvilloi një mbledhje urgjente të kryesisë, ku Flamur Noka doli me tezën se lobimi për Shabanin ishte bërë nga Grida Duma.
“Në mbledhje u tha se pesë deputetë janë telefonuar prej saj dhe këtë e ka pranuar edhe vetë Salianji. Madje ka gojëdhëna se Grida ka qenë negociatore me Ramën për Endri Shabanin”, deklaroi Noka.
Në reagimin e saj, Duma i cilësoi këto deklarata si një përpjekje për ta përfshirë në një betejë politike. Ajo theksoi se nuk është pjesë e lojërave të tilla dhe se një post si Avokati i Popullit nuk përfaqëson pushtet real, por vetëm një “gol politik” për të mbuluar problematika të tjera.
Duma iu përgjigj gjithashtu kritikave se po bën “opozitën e opozitës”, duke theksuar se drejtuesit aktualë të PD-së kanë mbi 20 vite në pushtet dhe nuk dinë ta lëshojnë atë. “Po të dinit ta lëshonit pushtetin, nuk do të kishit bërë ato që i keni bërë me një anëtarësi të lodhur dhe të zhgënjyer”, përfundon ajo, duke e cilësuar situatën brenda PD-së si një skandal që po dëmton rëndë imazhin e partisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



