Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë thirrje qytetarëve që të premten të dalin në protestë përballë Kuvendit të Shqipërisë, në orën 10:30, në momentin kur Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Shehaj ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht:
“Protesta! Protesta! Protesta! Në çdo postim marr me qindra komente ku më thoni: ‘Duhet të organizojmë protesta’. Të premten në orën 10:30, mblidhet Këshilli i Mandateve, do vendosin të shpëtojnë Belinda Ballukun. Aty do të organizojmë protestën dhe do të kërkojmë që të dorëzojnë Belinda Ballukun. Belinda Balluku duhet të arrestohet, ashtu siç kërkon SPAK-u dhe siç ka vendosur Gjykata. Mjaft e mbrojtët! Ju presim të gjithëve! Apo jo? Dorëzoni Belindën!”
Shehaj theksoi se pjesëmarrja qytetare është thelbësore për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë, duke e pozicionuar protestën si një moment vendimtar për drejtësinë në vend.








