Gazetari heq kollaren, zyrtarizohet si banor i parë i Big Brother VIP
Anxhelo Haruni do të jetë banori i parë i Big Brother VIP Albania 5, i cili nis zyrtarisht nesër në ora 21:15 në Top Channel.
Autori dhe moderatori i emisionit ekonomik “Top Talk” ka konfirmuar se është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e reality show-t më të ndjekur në Shqipëri.
Përmes një reagimi publik, Haruni bëri me dije se nga nesër do të hyjë në izolim total, sipas rregullave të formatit, pa telefon dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme, ashtu si edhe konkurrentët e tjerë që ndodhen tashmë të izoluar.
“Po mbyll sot këtë kapitull me shumë mirënjohje, sepse nesër hapet një tjetër. Nga nesër, zyrtarisht, do të jem konkurrent në Big Brother VIP Albania 5. Loja nis për të gjithë njësoj”, u shpreh ai.
Gazetari theksoi se në shtëpinë e Big Brother nuk do të paraqesë një rol apo strategji të ndërtuar, por do të hyjë si vetvetja, me të gjitha emocionet, forcat dhe dobësitë e tij.
“Në Big Brother shkon njeriu, jo një rol. Ajo që do të shihni është versioni i vërtetë i imi, ndryshe nga ai që keni parë deri më sot”, deklaroi Haruni.
Në fund, ai falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme dhe u shpreh optimist për rrugëtimin e tij në këtë eksperiencë të re, me synimin për të shkuar deri në fund të lojës.
“Tani… shihemi brenda shtëpisë”, përfundoi ai.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



