E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Policia ‘tronditet’…në letër: Drejtuesit ikin nga një karrige, në tjetrën
Lajme

Policia ‘tronditet’…në letër: Drejtuesit ikin nga një karrige, në tjetrën

Policia e Shtetit ka ndërmarrë sot një valë lëvizjesh në nivel vendor, duke prekur drejtues në disa qarqe të vendit. Vendimet përfshijnë shkarkime dhe emërime të reja në Lezhë, Dibër dhe Kamëz, me argumentin zyrtar të performancës së dobët në drejtimin e strukturave përkatëse.

Me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është liruar nga detyra drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Altin Mena, si edhe zëvendësdrejtori për Rendin, kryekomisar Taulant Gjoka. Pas shkarkimit, Mena është transferuar në detyrën e zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike në DVP Kukës, ndërsa Gjoka është emëruar shef i Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër.

Në Lezhë, drejtimi i policisë vendore i është besuar përkohësisht zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit, Kujtim Gjoka, i cili është komanduar në funksionin e drejtorit të DVP-së.

Ndryshimet nuk janë ndalur vetëm në Lezhë. Me të njëjtin motivacion janë shkarkuar edhe shefat e komisariateve në Dibër dhe Kamëz, përkatësisht Mariglen Duçi dhe Besmir Dervishi. Megjithatë, këto lëvizje kanë nxitur kritika, pasi vijnë me vonesë, ndërsa drejtuesi i policisë qendrore akuzohet se nuk ka reaguar në kohë pas ngjarjeve të rënda kriminale që tronditën vendin, përfshirë vrasjen e Gilmando Danit në Rinas.

Nga ana tjetër, vihet re se shumica e ndryshimeve janë bërë në struktura policore të qyteteve që nuk konsiderohen aktualisht si vatra të nxehta të kriminalitetit. Ndërkohë, në disa zona ku krimi mbetet problematik, nuk është marrë ende asnjë masë konkrete.

Lëvizjet e miratuara në radhët e Policisë së Shtetit përfshijnë:

  • Altin Mena, zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në DVP Kukës

  • Taulant Gjoka, shef i Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër

  • Mariglen Duçi, shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës

  • Besmir Dervishi, shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë

  • Ervis Gjoshi, shef i Komisariatit të Policisë Dibër

  • Sentilian Ndreu, i komanduar përkohësisht si shef i Komisariatit nr. 5

Sipas njoftimit zyrtar, këto vendime janë marrë pas një procesi vlerësimi të performancës, të zhvilluar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, proces që pritet të shtrihet edhe në drejtoritë e tjera vendore në ditët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.