Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ndërmarrë një nismë qytetare për mbrojtjen e drejtësisë, duke nisur mbledhjen e firmave të qytetarëve që, sipas tij, mbështesin luftën kundër korrupsionit dhe institucionet e drejtësisë.
Shehaj e cilësoi historike vënien përballë drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar, duke përmendur rastet e Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe së fundmi Belinda Ballukut. Sipas tij, ky proces ka nxitur sulme të forta politike ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë.
“Është thelbësore që të dëgjohet zëri i qytetarëve të ndershëm, i atyre që janë në krah të drejtësisë dhe jo të korruptuarve. Synimi ynë është të mbledhim mijëra, madje qindra mijëra firma për të mbrojtur drejtësinë dhe për të kundërshtuar përpjekjet për ta denigruar atë,” u shpreh Shehaj.
Ai e krahasoi këtë proces me rënien e regjimit komunist, duke theksuar se, 35 vite më pas, Shqipëria po përjeton një tjetër moment historik.
“Së fundmi, njerëzit që kanë sunduar dhe kanë përfituar nga korrupsioni po dalin përballë drejtësisë. Ky është një ndryshim i madh dhe i vonuar,” tha ai.
Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor maxhorancën parlamentare për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërkohë që SPAK ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj saj.
“Në një moment kur SPAK kërkon arrestimin e një zëvendëskryeministre, Rama del në mbrojtje të saj duke përdorur votat e maxhorancës. Paralelisht, flitet për amnisti penale, një sinjal i qartë kundër drejtësisë: ‘Ju na hetoni dhe na dënoni, ne i falim’,” u shpreh ai.
Sipas Shehajt, Balluku jo vetëm që përcaktonte fituesit e tenderave, por arrinte marrëveshje paraprake përpara se të hapej gara.
“Ata mendonin se ishin të paprekshëm, se pushteti dhe paratë do t’i mbronin gjithmonë. Lufta kundër korrupsionit lidhet drejtpërdrejt me demokracinë,” theksoi ai.
Duke komentuar akuzat se pse nuk bashkohet me partitë e tjera opozitare, Shehaj deklaroi se bashkimi pa parime do të dëmtonte besueshmërinë e alternativës që ai përfaqëson.
“Ose je me drejtësinë, ose nuk je. Nuk mund të mbështesësh luftën kundër korrupsionit vetëm kur goditet kundërshtari politik. Qëndrimi ynë është i qartë: në krah të drejtësisë dhe në ndërtim të një alternative të besueshme për qytetarët,” përfundoi Shehaj.







