Nuk ka faj Ram Geci!
Ramë Geci është me të vërtetë një burrë i nderuar. Ashtu si çdo biznesmen në Shqipëri që, me iniciativën e tij sipërmarrëse, prodhon ekonomi, punësim, mirëqenie dhe të ardhura për taksat.
Ata e dinë se çfarë heqin për t’i mbajtur bizneset në këmbë. Po ashtu, nuk ka asnjë problem që kryeministri dhe ministrat të takohen me biznesmenët. Përkundrazi.
Problemi nis kur porositë e kryeministrit për ministrat e tij, “takoje filan biznesmen”, pasohen nga dialogë si ky më poshtë:
Balluku: “KM më kërkoi të takoj Ramë Gecin”.
Berberi: “E kishte takuar sot”.
Balluku: “Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.
Berberi: “15 mln, rreth diku te 10 mln euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.
Dhe porosia u çua në vend. Kompania e zotit Geci e mori realisht PR-në, edhe pse nuk kishte ofertën më të ulët.
Ky është problemi. Dhe madje shumë i madh. Sepse këtu asgjësohet mekanizmi që prodhon mirëqenien publike. Ky mekanizëm është gara, ose konkurrenca.
Por biznesmenët nuk kanë asnjë faj. Bizneset që punojnë me kontrata publike kanë vetëm dy rrugë: ose të bëjnë takime speciale si këto dhe të bëhen “ushtarë të bindur”, siç thoshte zonja, ose të mbyllin kompanitë dhe të dalin në rrugë të madhe.
Rrugën e dytë, unë njoh vetëm një burrë që e ka bërë: Ismail Ahmeti. Ky kishte kompaninë më të madhe të ndërtimit në Shqipëri. Sapo nisën historitë me ryshfetet 5-përqindëshe në vitet e para, e mbylli kompaninë dhe iku në punë të vet.
E gjithë kjo duhet të hapë edhe një debat të madh në Shqipëri: çfarë do të bëhet me sipërmarrësit që bien në rrjetat e përgjimeve? Sepse të gjithë ata që kanë marrë punë publike në Shqipëri kanë bërë takime speciale diku. Pa përjashtim. Ky është sistemi që ka ndërtuar ky pushtet, ku nuk shpëton asgjë me garë. Aq më tepër që paratë e korrupsionit nuk shkojnë te biznesmenët, por te ata që takohen.
Pra, debati është ky: a do të dënohen penalisht biznesmenët e punëve publike në Shqipëri apo do të dënohen financiarisht? Unë jam për këtë të dytën, dhe rëndë madje. Por këtu çdo njeri ka mendimin e tij.
Megjithatë, meqë u fol për këtë punën e takimeve, më erdhi ndër mend një histori.
Njëherë kryeministri merr në telefon një biznesmen dhe i thotë: “Prite pak filanin, për një gazetar”. Biznesmeni i gjorë e priti dhe ia mbushi çantën mirë.
Gazetari, duke marrë çantën, i thotë biznesmenit: “Këto nuk t’i quaj unë, se këto m’i ka dhënë ai i madhi. Ti prapë do ta paguash pjesën tënde”.
Kështu i ka porositë ky.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



