Bardhi: E paprecedentë, socialistët u fshehën si ata që shkelin ligjin
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas mbledhjes së deputetëve të opozitës, duke akuzuar shumicën për zvarritje të qëllimshme të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se kanë kaluar plot tre javë nga kërkesa e SPAK për lejimin e arrestimit të Ballukut, ndërsa Këshilli i Mandateve nuk është mbledhur për ta shqyrtuar atë.
“Edhe sot, me përgjegjshmëri të plotë, pesë anëtarët e opozitës në Këshill kërkuan mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Kërkesa ishte e bazuar në Rregulloren e Kuvendit,” u shpreh Bardhi.
Sipas tij, kjo situatë përbën një rast të paprecedentë. “Sot mbushen tre javë nga kërkesa e SPAK për arrestimin e krahut të djathtë të Ramës dhe tre javë që Niko Peleshi dhe anëtarët socialistë në Këshill fshihen, siç fshihen ata që kanë shkelur ligjin. Është e paprecedentë që Këshilli të marrë kaq shumë kohë për shqyrtimin e një kërkese të ngutshme të SPAK, qoftë para apo pas reformës në drejtësi,” deklaroi ai.
Bardhi theksoi se zvarritja e procedurave dëmton besimin publik dhe përbën pengesë të drejtpërdrejtë për veprimin e drejtësisë, duke e cilësuar situatën si një mburojë politike për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



