Mesazhi prekës i Sali Berishës/ Humb njeriun e dashur të familjes së madhe
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dhënë sot lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të bashkëshortes së vëllait të tij. Përmes Facebook-ut, ish-kreu i qeverisë ka njoftuar për vdekjen e Sanije Berishës.
Ja postimi i ish-kryeministrit:
Një lamtumirë e dhimbshme për ne!
Të dashur miq, sot familja jonë me dhimbje dhe pikëllim të thellë i dha lamtumirën e fundit një njeriu shumë të dashur për të gjithë ne, Sanie Berishës, bashkëshortes së vëllait tim të ndjerë. Sanija, vajzë e një familje dhe dy prindërve të nderuar, erdhi në familjen tone si përmbushje e një premtimi që ajo dhe vëllai im i dashur, Selim Berisha i kishin dhënë njeri-tjetrit në rini për të lidhur jetën së bashku. Ajo, me virtutet, edukatën, punën do të dëshmohej një bashkëshorte e admirueshme, shok jete dinjitoze e vëllait tim, një vajzë e dytë për prindërit e mi, një nënë e mrekullueshme për fëmijët e saj dhe mësuese e përkushtuar për nxënësit në shkollat ku dha mësim.
Me këtë rast dua të shtoj se Sanija jo gjithnjë kishte fatin në anën e saj. Rreth tridhjete vjet më parë vëllai im u nda relativisht i ri nga jeta dhe ajo mbeti zonjë dhe zot shtëpie. Por grua fisnike e pamposhtur nga vështirësitë dhe me sakrifica të mëdha ajo rriti, edukoi dhe nxori në jetë me sukses tre femijët e saj.
Më pas pati fatin e madh të bëhet gjyshe e lumtur e nipave dhe mbesës së saj. Sanija këto vite e fundit vuajti nga një sëmundje e rënde, e cila dje, megjithë kujdesin e madh të vajzës, djemve, të rejave, nipave, mbesës dhe të gjithë familjes, e në veçanti të mjekëve, e ndau prej nesh duke lënë tek ne të gjithë në zemrat tona mirënjohje të thellë, dashuri të madhe dhe kujtimin e paharruar të saj.
I lehtë qofte për ty sonte dheu Sanija jonë e dashur!

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



