Rama ‘show’ me Fevziun për të zhvendosur vëmendjen nga përmbytjet
Nxjerr foton duke kapur nga veshi moderatorin
Ndërsa vendi po përballet me pasoja të rënda nga përmbytjet dhe një sërë çështjesh të nxehta që rëndojnë mbi qeverinë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të rikthehet në një përplasje publike me gazetarin Blendi Fevziu, duke e shndërruar debatin në një spektakël verbal që, sipas kritikëve, shërben më shumë për zhvendosjen e vëmendjes sesa për adresimin e problemeve reale.
Shkak për reagimin e radhës së Ramës u bë deklarata e Fevziut, i cili ngriti akuza se anëtarë të kabinetit qeveritar udhëtojnë privatisht jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërkohë që në media transmetohen pamje inspektimesh të regjistruara më herët, duke krijuar perceptimin e rremë të angazhimit në terren.
Në një postim të gjatë dhe me tone të ashpra, kryeministri mohoi kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar ato si shpifje dhe duke akuzuar gazetarin se nuk ka paraqitur asnjë fakt për të mbështetur deklaratat e tij. Rama shkon më tej, duke kërkuar që Fevziu t’i kërkojë ndjesë publikut për atë që ai e cilëson si një gënjeshtër të rëndë.
Në vend që fokusi të mbetej te situata emergjente e përmbytjeve apo te çështje të tjera të debatueshme që prekin qeverinë, Rama e zhvendos diskutimin drejt statistikave dhe polemikave semantike, duke kundërshtuar pretendimin se një e treta e territorit të vendit është nën ujë. Sipas tij, sipërfaqja e përmbytur përbën vetëm një fraksion të territorit kombëtar, një argument që përdoret për të relativizuar përmasat e situatës.
Në të njëjtën linjë, kryeministri minimizon edhe tensionet politike dhe institucionale, duke i cilësuar ato si krizë të brendshme të opozitës dhe jo si problem real të funksionimit të shtetit. Gjuha e përdorur në reagim është e ashpër dhe denigruese, me sulme personale ndaj gazetarit dhe medias, çka e përforcon perceptimin se kemi të bëjmë më shumë me një përplasje spektakolare sesa me një përpjekje për transparencë.
Kritikët e shohin këtë përballje publike si një strategji të njohur komunikimi të Ramës: ndezjen e debatit me figura mediatike të njohura për të prodhuar zhurmë, polarizim dhe klikime, ndërsa në plan të dytë mbeten përmbytjet, përgjegjësia institucionale dhe skandalet që rëndojnë mbi qeverinë, përfshirë çështje që lidhen me ministra dhe hetime të hapura.
Në këtë panoramë, debati Rama–Fevziu shfaqet më shumë si një shfaqje politike e mirëkalkuluar, ku potera mbizotëron mbi thelbin, ndërsa problemet reale të qytetarëve humbasin mes replikave, statistikave selektive dhe sulmeve personale.
Reagimi i PLOTË i Edi Ramës:
PRA, BLENDI FEVZIU KA GËNJYER FORT, kur duke e parë në sy publikun nga ekrani i Opinionit ai tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!”
Duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë akuzë të rreme ose shqip, shpifje, Fevziu braktisi jo thjesht deklarimin e dhënë me garancinë se zotëronte fakte, për plot 7 ministra, që sipas tij bënin marifetin e lartpërmendur.
Në të vërtetë ai braktisi publikun e tij dhe u mor në tym me videot e inspektimeve, përballjet e Trumpit me gazetarët, lirinë e tij për të udhëtuar në Amerikën Latine, gjëra që s’kishin asnjë lidhje me arsyen e me përmbajtjen e reagimit tim.
Pa asnjë pendesë për fajin e tij live ndaj publikut, Fevziu u shfaq i çuditur që unë reagova ndaj shpifjes së tij, për të cilën ai në fakt mirë mua, që s’më detyrohet asnjë shpjegim, po publikut të Opinionit duhet t’ia kërkonte një ndjesë për gënjeshtrën me 7 bishta.
Dhe për të shpjeguar çudinë e vet, ai tha se gjëra më të mëdha duhet të merrnin vëmendjen time, duke filluar nga “1/3 e Shqipërisë nën ujë” – vendi ynë ka 2,874,800 hektarë nga të cilat uji kishte mbuluar 13,160 hektarë, pra jo 1/3 po 1/217 – apo duke vazhduar me “krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAKUT”, kur në fakt kriza parlamentare e Blendit është thjesht krizë e partisë së liderit të Fevziut dhe çunit të Bahri Falliut, sepse parlamenti është me pushimet e dimrit.

Por unë nuk çuditem që Fevziu nuk i kërkon ndjesë publikut të tij për gjithë atë derr gënjeshtre absurde dhe denigruese, ndaj njerëzish që ai nuk ka detyrë t’i respektojë si kundërshtarë, po ka detyrimin të mos i baltosë kolektivisht duke nxitur urrejtje. Nuk çuditem as që i zoti i Opinionit propagandon kundër qeverisë, me të njëjtat marzhe të llahtarshme gabimi në komunikimin e fakteve, si ai i Shqipërisë së mbuluar nga uji në 1/3 – e këtu Fevzo s’është as vetëm, as më i gabuari, po të kesh parasysh ca të tjerë që gënjejnë si derra të knaqun migjenianë ditë e natë.
Nuk çuditem nga asnjë çudi e mexhelisit politik e mediatik unë, sepse më shumë se sa të vërtetës që Blendi e synon kur shkruan libra si gazetar, Fevziu i Opinionit i shërben tenxheres së tij të potershme që duhet të bubullojë përnatë, e të gërrgërrojë sa më fort mes 700 tenxhereve simotra, që ziejnë në një garë të marrë se kush shkumëzon më shumë.
Poterja gjithçka, e vërteta asgjë. Asnjë çudi??????????
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



