‘Tonin Marinaj jam’, si u mashtrua në emër të kryebashkiakut biznesmeni
40 mijë euro dhe një mesazh i rremë, zbulohet skema e mashtrimit në Rinas
“Tonin Marinaj jam, kam për të bërë një pagesë urgjente në Tiranë, më duhen 40 mijë euro.” Ky ishte mesazhi që mbërriti në telefonin e një sipërmarrësi 55-vjeçar nga Shkodra, përmes aplikacionit Viber. Mesazhi vinte nga një llogari e krijuar nga një grup prej gjashtë personash, të cilët në komunikimin fillestar u prezantuan si kryebashkiaku i Malësisë së Madhe.
Duke pasur njohje dhe lidhje shoqërore me kryebashkiakun e vërtetë, biznesmeni nuk dyshoi për vërtetësinë e kërkesës dhe pranoi të siguronte shumën e kërkuar. Sipas udhëzimeve të marra në bisedë, takimi për dorëzimin e parave u caktua në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit.
Në vendin e takimit, 55-vjeçari u dorëzoi 40 mijë euro disa personave, të cilët u prezantuan si bashkëpunëtorë të kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, ai tentoi të komunikonte sërish në Viber me numrin që i ishte prezantuar si Tonin Marinaj, por kësaj here nuk mori asnjë përgjigje.
I dyshimtë për situatën, biznesmeni telefonoi më pas në WhatsApp një kontakt tjetër të kryebashkiakut, numër me të cilin kishte komunikuar edhe më parë. Pikërisht kjo telefonatë bëri të qartë se ai kishte rënë pre e një mashtrimi të mirëorganizuar.
Megjithatë, viktima tentoi edhe një herë të lidhej me personat që kishin marrë paratë, por përgjigjja e vetme që mori ishte tronditëse: “Mos u merr më me ne, jemi nga SPAK.”
Hetimet e kryera nga sektori i krimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës, nëpërmjet analizës së komunikimeve dhe provave të tjera të administruara, kanë zbardhur skemën e përdorur nga grupi mashtrues. Deri më tani, katër nga gjashtë personat e përfshirë janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



