E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
AKSHI gostit ‘trurin’ e Duranas me tender 2 milionë euro
Lajme

AKSHI gostit ‘trurin’ e Duranas me tender 2 milionë euro

AKSHI nuk ka frikë nga SPAK-u!

Një nga figurat kyçe që qëndron pas të ashtuquajturit park teknologjik “DURANA” ka arritur sërish të sigurojë një kontratë me vlerë të lartë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pavarësisht se kjo agjenci dhe vetë projekti në Xhafzotaj të Shijakut janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Bëhet fjalë për Armand Sharan, i konsideruar nga burime të ndryshme si ideatori dhe “truri” financiar i Duranës, i cili, edhe pse emri i tij shfaqet vazhdimisht në çështje të dyshimta, vijon të përfitojë tenderë me vlera milionëshe nga fondet publike.

Ironikisht, rikthimi i tij në qendër të vëmendjes lidhet pikërisht me AKSHI-n, institucion drejtuesit e të cilit janë nën hetim penal. Drejtoresha e përgjithshme, Mirlinda Karçanaj, ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa procedurat e prokurimit të këtij institucioni po kalojnë në sitën e SPAK-ut.

Skandali thellohet më tej nga mënyra se si është fituar tenderi i fundit. Procedura rezulton të jetë zhvilluar praktikisht pa konkurrencë reale: një kompani tjetër është regjistruar formalisht, por nuk ka paraqitur ofertë financiare, çka krijon dyshime serioze se gara ka qenë vetëm në letër dhe rezultati i paracaktuar.

Armand Shara rezulton aksioner dominues në disa kompani kyçe të sektorit të teknologjisë, përfshirë Infosoft Systems, TAG Engineering, iNext dhe Ikubinfo shpk. Përmes kompanisë TAG Engineering, ku zotëron 100% të aksioneve, ai kontrollon prej më shumë se tre vitesh, në bashkëpronësi me Bledar Dhimën, kompaninë Infosoft Systems shpk.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, përmes Infosoft Systems dhe Ikubinfo shpk, Shara ka përfituar rreth 130 milionë euro nga fondet publike. Vetëm Infosoft Systems, në bashkëpronësi me Bledar Dhimën, ka përfituar mbi 100 milionë euro përmes procedurave të klasifikuara dhe tenderëve të AKSHI-t, ndërsa Ikubinfo shpk ka siguruar mbi 30 milionë euro kontrata gjatë viteve të fundit.

Por lidhjet nuk mbarojnë këtu. Një prej kompanive të Sharës figuron edhe në listën e rreth 50 subjekteve të regjistruara në parkun DURANA. Në korrik të vitit 2025, ai themeloi kompaninë e softuerëve iNext shpk, përmes TAG Engineering dhe ortakut të tij Bledar Dhima, duke ndjekur të njëjtin model që SPAK po heton edhe te biznesmenë të tjerë të lidhur me AKSHI-n: kompani të reja, por me pronarë të vjetër.

Subjektet e regjistruara në parkun DURANA përfitojnë lehtësira të konsiderueshme fiskale, të hyra në fuqi nga 1 janari 2025, përfshirë tatim 0% mbi fitimin për 15 vite për aktivitetet e zhvilluara brenda parkut.

Hetimet e SPAK kanë nisur tashmë për shkak të lidhjeve të dyshuara mes korrupsionit në AKSHI dhe parkut DURANA, ndërsa priten zhvillime të reja në ditët në vijim.

Megjithatë, pavarësisht hetimeve në zhvillim, AKSHI ka vijuar pa zhurmë shpërblimin e Armand Sharës. Vetëm pak ditë më parë, ai është shpallur fitues i procedurës së prokurimit për “Mirëmbajtjen e sistemit e-Receta për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, me një vlerë rreth 2 milionë euro. Në këtë tender, Infosoft Systems rezulton sërish i vetmi konkurrent dhe fitues pothuajse në nivelin e fondit limit.

Burime brenda sektorit pohojnë se presioni i krijuar nga AKSHI është aq i fortë, sa asnjë kompani tjetër nuk guxon të konkurrojë përballë Infosoft Systems. Ndërkohë që procedurat e tjera janë pezulluar ose nën verifikim, asgjë nuk duket se e pengon Armand Sharan të ushtrojë ndikim mbi komisionet e brendshme të institucionit.

Personi që shikoni në foto quhet Armand Sharra.

Ai njihet për kujdesin ekstrem që ushtron për të shmangur ekspozimin publik, duke u siguruar që pothuajse asnjë foto e tij të mos qarkullojë në internet. Ai konsiderohet figura që qëndron realisht pas Infosoft Systems, TAG Engineering dhe iNext, si dhe lidhet, sipas burimeve, me grupe të fuqishme interesi në fushën e ndërtimit dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.

Pyetja që shtrohet është pse, gjatë hetimeve ndaj AKSHI-t, ky “elefant në dhomë” mbetet ende në hije, ndonëse dyshohet se ka paracaktuar dhe përfituar qindra milionë euro nga procedurat e këtij institucioni.

Edhe në dosjen e laboratorëve shkollorë “Smart Lab”, hetimet nuk duket se kanë depërtuar në zinxhirin real të faturimeve, ku roli i Infosoft Systems, më pas i ndërmjetësve dhe në fund i pjesëmarrësve në tender, dyshohet se ka çuar në fryrje çmimesh deri në shtatë herë mbi koston reale të produkteve.

Infosoft, sipas burimeve, ka ditur gjithmonë të gjejë kompani “mburojë”, të cilat ekspozohen si fituese, ndërkohë që vetë shfaqet njëkohësisht si furnitor dhe konkurrent fiktiv.

Edhe kompania iNext, bashkëthemeluese që në fillesat e aferës DURANA Tech Park, duket se ka mbetur jashtë vëmendjes së organeve hetimore, pavarësisht se Armand Sharra është aksioneri kryesor dhe ideatori i saj.

Pse vazhdon të mbetet në hije një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve të teknologjisë në vend? Dhe a po rindërtohet në heshtje një skemë e re kriminale brenda AKSHI-t, këtë herë me strategji më të sofistikuara?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.