E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Anuela Ristani i jep 2 miliardë lekë Breçanit të ruajë Shoshin e UKT
Lajme

Anuela Ristani i jep 2 miliardë lekë Breçanit të ruajë Shoshin e UKT

Teksa qytetarët e Tiranës, si taksapagues, mbushin buxhetin e institucioneve bashkiake, në shumë lagje të kryeqytetit çezmat vazhdojnë të jenë pa ujë. Ndërkohë, paratë e tyre duket se përdoren për prioritete krejt të tjera. Kryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka miratuar dhënien e fondeve publike për një kompani private, e cila siguron ruajtjen e drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT), Flauers Shoshi.

Paratë e tenderave të Bashkisë, me objekt Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, janë kanalizuar drejt një kompanie me lidhje të forta politike dhe policore. Një procedurë e fundit prokurimi, e shënuar me “flamur të kuq” për mungesë konkurrence — element i njohur si indikator i qartë korrupsioni — tregon se mbi 2.1 miliardë lekë i janë dhënë kompanisë “BREÇANI – R.O.S.P”.

Tenderi është zhvilluar me pjesëmarrjen e vetëm një operatori ekonomik, çka e bën garën faktikisht fiktive, pa asnjë rival që të ndikonte në uljen e çmimit. Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është thuajse zero: kompania ka fituar me rreth 99.5% të fondit limit, një tregues i qartë i mungesës së konkurrencës reale.

Kompania përfituese, “BREÇANI – R.O.S.P” sh.p.k., figuron zyrtarisht në emër të Fatbardh Breçanit, vëllait të ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani. Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi ndikimin që ish-zyrtarë të lartë të rendit, apo familjarët e tyre, mund të kenë në përfitimin e tenderave me vlera miliona euro nga institucionet nën varësinë e Bashkisë Tiranë.

Ironia qëndron në faktin se, ndërsa Bashkia shpenzon mbi 2 miliardë lekë për ruajtje private, shërbimi bazë ndaj qytetarëve mbetet në nivele kritike: furnizimi me ujë është i ndërprerë, investimet në rrjet janë minimale dhe pakënaqësia e banorëve rritet çdo ditë.

Në fund, taksat e qytetarëve nuk po shndërrohen në shërbime, por në kontrata që ushqejnë klientelizmin dhe mbajnë gjallë një sistem ku interesat private vihen mbi nevojat publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.