Zbulohet magazina e kanabisit në Lezhë, disa persona nën pranga
Një operacion antidrogë i zhvilluar gjatë natës ka çuar në zbulimin e një magazine të fshehtë në Lezhë, e cila ishte përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike.
Aksioni u ndërmor nga strukturat e policisë në zonën pranë superstradës Lezhë–Laç, konkretisht afër kryqëzimit të Spitenit.
Gjatë kontrollit të ambientit, uniformat blu kanë sekuestruar rreth 1 mijë bimë kanabisi, të mbjella dhe të kultivuara në kushte të kontrolluara.
Sipas burimeve policore, magazina ishte e pajisur me infrastrukturë të posaçme, përfshirë ndriçim artificial, sisteme ajrimi dhe mjete të tjera që përdoren për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Si rezultat i operacionit, disa persona janë vënë në pranga, të dyshuar si të përfshirë drejtpërdrejt në këtë veprimtari të paligjshme.
Ndërkohë, policia ka nisur hetime të mëtejshme për të zbardhur plotësisht skemën e funksionimit të kësaj magazine dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të lidhur me aktivitetin kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



