Këngëtarja e njohur dhe opinionistja e “Big Brother VIP Kosova 4”, Leonora Jakupi, është përballur me një situatë të rëndë, pasi banesa e saj është plaçkitur nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe një tronditje të fortë emocionale për artisten.
Mësohet se grabitja ka ndodhur disa javë më parë, ndërsa rasti është mbajtur larg vëmendjes publike deri në këtë moment. Autoritetet e rendit kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin e autorëve, ndërsa detajet e plota të ngjarjes mbeten ende konfidenciale për arsye hetimore.
Burime të afërta me këngëtaren bëjnë me dije se Leonora Jakupi është ndjerë e tronditur nga ajo që ka ndodhur, ndonëse fatmirësisht nuk ndodhej në banesë në momentin e grabitjes. Hajdutët dyshohet se kanë marrë sende me vlerë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ky rast e shton emrin e saj në listën e personazheve publikë dhe opinionistëve të “Big Brother VIP Kosova” që kanë rënë pre e grabitjeve gjatë periudhës së angazhimit në program. Një ngjarje e ngjashme ishte raportuar edhe më herët, kur opinionistja Afërdita Paqarada u përball me një situatë të ngjashme në sezonin e parë të spektaklit.
Deri më tani, Leonora Jakupi ka zgjedhur të mos bëjë reagim publik mbi incidentin, duke lënë në dorë të autoriteteve zbardhjen e plotë të ngjarjes. Megjithatë, burime pranë saj konfirmojnë se ajo po bashkëpunon ngushtë me policinë për të ndihmuar në hetim.







