E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lirohet nga burgu ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja
Flash

Lirohet nga burgu ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja

Jurgis Çyrbja është liruar nga burgu pasi ka përfunduar vuajtjen e dënimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Ish-deputeti i Partisë Socialiste ka shlyer dënimin prej dy vitesh burg, i reduktuar nga tre vite fillestare për shkak të gjykimit të shkurtuar. Lirimi i tij vjen pasi u plotësua afati i vuajtjes së dënimit, duke përllogaritur edhe periudhën e paraburgimit.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e tij për liri të parakohshme, duke konstatuar se dy vitet e dënimit përmbusheshin pikërisht sot. Për këtë arsye, kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” nuk u pranua në atë moment, në pritje të përfundimit formal të afatit.

Dënimi dhe akuzat

Çyrbja u shpall fajtor në nëntor 2025 nga GJKKO për akuzat e:

  • korrupsionit në zgjedhje,
  • zbulimit të sekretit shtetëror,
  • përkrahjes së autorit të krimit.

Hetimet u zhvilluan nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionet “Sky ECC” dhe “Matrix”. Sipas organit të akuzës, në këto komunikime rezulton se ish-deputeti informonte persona të skeduar për operacionet policore, ndërsa nga ana tjetër përfitonte mbështetje elektorale.

SPAK e arrestoi Çyrbjan mbrëmjen e 20 tetorit 2024. Bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Hetimet përfunduan më 15 korrik 2025 dhe çështja u dërgua për gjykim ndaj tre personave: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Të pandehurit e tjerë

Altin Hajri u dënua me 3 vite burg, ndërsa Ahmet Masha me 2.6 vite burgim. Sipas hetimit, Hajri rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Prokuroria ka faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 maj 2020 – 8 mars 2021, ku të akuzuarit dyshohet se kanë koordinuar aktivitete kriminale dhe kanë siguruar të dhëna nga sistemi TIMS si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ish-deputeti ka mohuar akuzat dhe vijon të kërkojë pafajësi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku ndodhet në shqyrtim ankimi i tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.