E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I mituri u godit me thikë, gjimnazistët në Delvinë dalin në protestë
Lajme

I mituri u godit me thikë, gjimnazistët në Delvinë dalin në protestë

Një grup nxënësish të gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë protestuar këtë të premte përpara ambienteve të Komisariatit të Policisë në Delvinë, pas një incidenti të rëndë që ndodhi në shkollën e tyre dhe që përfundoi me plagosjen e një nxënësi me thikë.

Sipas informacioneve të bëra publike nga vetë nxënësit, ngjarja ka nisur pas një konflikti mes dy bashkëmoshatarëve, i cili më pas ka përshkallëzuar deri në përdorimin e një mjeti prerës. Si pasojë e përplasjes, një prej nxënësve ka marrë një goditje me thikë në zonën e shpatullës.

Nxënësit që protestuan pretendojnë se situata problematike brenda shkollës ishte raportuar disa herë më parë tek drejtoria, por sipas tyre nuk janë marrë masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Ata thonë se një nga nxënësit e përfshirë kishte shfaqur më herët sjellje problematike, por ndërhyrja për ta menaxhuar situatën nuk është bërë në kohën e duhur.

Sipas dëshmive të tyre, incidenti fillimisht ka nisur brenda ambienteve të shkollës dhe më pas është agravuar pasi nxënësit janë larguar nga mjediset e saj.

Protestuesit pretendojnë gjithashtu se prindërit nuk janë informuar menjëherë për ngjarjen dhe se nxënësi i përfshirë në konflikt është lejuar të largohet nga shkolla përpara përfundimit të orarit të plotë mësimor.

Nxënësit shprehen se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë dhe se mungesa e masave parandaluese ka krijuar një ndjenjë pasigurie mes tyre.

Për këtë arsye, ata i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë ngjarjen dhe të marrin masa për të garantuar sigurinë në shkollë, duke theksuar se neglizhimi i situatave problematike mund të çojë në incidente edhe më të rënda në të ardhmen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.