Vrasja e Edmond Sulës, pista e biznesit të kanabisit mjekësor në fokus
Një javë pas atentatit në Bërxullë, vrasja e Edmond (Ali) Sulës vijon të mbetet pa autor, ndërsa hetimet po përballen me vështirësi për shkak të rrethanave komplekse dhe së shkuarës problematike të viktimës.
Sipas burimeve hetimore, mënyra e organizuar e ekzekutimit ka lënë pak gjurmë në terren, duke e bërë të vështirë identifikimin e autorit në këtë fazë. Paralelisht, numri i pistave të verifikuara është i lartë, por deri tani asnjëra nuk ka prodhuar rezultat konkret.
Një nga drejtimet kryesore ku po fokusohen hetimet lidhet me aktivitetin e Sulës jashtë vendit. Antikrimi në Policinë e Tiranës ka siguruar të dhëna se ai ishte bashkëaksioner në një kompani të licencuar për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut, ku ky sektor është i legalizuar.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që konflikte të mundshme në këtë biznes të kenë çuar në atentat, megjithëse deri më tani nuk ka prova të forta që ta mbështesin këtë pistë. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve në Maqedoninë e Veriut për të marrë informacion të detajuar mbi aktivitetin e Sulës.
Ndërkohë, hetimet po përfshijnë edhe të kaluarën e tij në Shqipëri, ku po verifikohen dyshime për konflikte të ndryshme, përfshirë çështje financiare, dhënie parash me fajde, si dhe përplasje të mundshme në fushën e shitblerjes së pronave.
Zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje mbetet një sfidë për autoritetet, ndërsa priten zhvillime të reja në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



